Meksikë, zbulohet njeriu pas vrasjeve të drogës
Një njeri i vetëm mban përgjegjësinë e luftës së përgjakshme mes karteleve të drogës që ka pushtuar së fundmi një qytet meksikan në kufi me SHBA-në, duke tronditur qeverinë e Presidentit Felibe Kalderon dhe duke shqetësuar thellë Uashingtonin. Hoakin Guzman, i njohur me nofkën "shkurtabiqi", vetëm 1.52 metra i gjatë, sot është njeriu më i kërkuar në Meksikë, si shkaktari kryesor i shpërthimit të një vale vrasjesh në qytetin kufitar Kuidad Huarez, pasi vendosi të maste forcat me kartelin që kontrollonte atë territor. Beteja e përgjakshme mes banditëve të kartelit Sinaloa të kontrolluar nga Guzman dhe trafikantëve lokalë të Kuidad Huarez, kanë shkaktuar deri tani 2 mijë të vrarë, duke e detyruar qeverinë të dërgojë 7500 trupa ushtarake dhe policore për të vënë në kontroll gjendjen në qytet. Guzman, 51 vjeç, i është shmangur arrestimit disa herë që pas arratisjes nga një burg i sigurisë së lartë përmes një furgoni lavanderie në vitin 2001.