Papa vijon ditën e dytë të vizitës në Gjermani

Në ditën e dytë të udhëtimit të tij në Gjermani, Papa Benedikt XVI, udhëton sot në Turingji. Filimisht në program qëndron edhe një takim me përfaqësues të fesë islame në nunciaturën papnore në Berlin. Në Erfurt, Papa takohet më pas me përfaqësues të lartë të Këshillit të Kishës Evangjelike Gjermane. Biseda ekumenike zhvillohet në manastirin Augustin, në të cilin ka jetuar reformatori Martin Luther si murg katolik. Gjatë pasdites kreu i kishës do të mbajë një meshë në kishëzën e Maries Etzelbach në Eichsfeld, vend shtegtimi, me pjesëmarrjen e rreth 60.000 njerëzve. Në fillim të vizitës së tij Benedikti i 16, u kërkoi deputetëve në fjalën e tij para Bundestagut gjerman, që të përmbushin përgjegjësinë e tyre për paqe dhe drejtësi. Në mbrëmje ai kremtoi para 61.000 vetëve një meshë në Stadiumin Olimpik të Berlinit. Në predikimin e tij ai u bëri thirrje besimtarëve, të mos largohen nga kisha pavarësisht të gjithë rasteve të abuzimit dhe mangësive të tjera. Dita e dytë e vizitës dominon më së shumti në ndalesën në dioqezën e Erfurtit. Për shumë vëzhgues vizita prej 25 orësh në Turingji është pikërëndësa e vërtetë e udhëtimit të Papës. Para reth 400 vjetësh me siguri që asnjë Papë nuk do të kishte guxuar të shkonte në zemrën e lëvizjes reformatore. Një gjë kishte arritur murgu katolik Martin Luther me reformimin në vitin 1517: ai i kishte treguar njerëzve të kohës së tij lirinë e ungjillit. Megjithatë vizita e Papës duket se nuk i entuziasmon të gjithë në Erfurt, pasi disa prej banorëve të zonës besojnë se vizita e tij nuk do të sjellë asgjë e disa të tjerë thonë se nuk janë përkrahës të fesë së tij. Në Gjermani janë zhvilluar edhe protesta apo marshime kundër vizitës së Papës.