E Diel, 1 Nëntor 2026

Papadimos kryeministër, mandatohet nga Papulias për qeverinë e re

Ekonomisti Lukas Papademos do të jetë kryeministri i ri i përkohshëm i vendit, ndërkohë që Greqia po përpiqet të plotësojë kushtet e kredi-dhënësve ndërkombëtarë. Më në fund është rënë dakort nga palët për emrin e kreut të qeverisë që do të pasojë Papandreun pas disa ditësh negociatash. Është raportuar gjithashtu se qeveria e re mund të betohet nesër. Kështu kryeministri socialist Jorgo Papandreu, që ka dhënë dorëheqjen dhe udhëheqësi i opozitës Antonis Samaras arritën një marrëveshje për krijimin e një qeverie koalicioni deri në zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme vitin e ardhshëm. Papademos, ish nën president i Bankës Qendrore Evropiane, konsiderohet si zyrtar teknokrat dhe jo-partiak, i cili mund të zbatojë programin e masave shtrënguese ekonomike që kreditorët e huaj kërkojnë nga Greqia në shkëmbim të ndihmës financiare. Ministrat e financave të Bashkimit Evropian po prisnin formimin e qeverisë së re për t’i dhënë Greqisë huanë e re prej 11 miliardë dollarësh, nga paketa e ndihmave e miratuar në vitin 2010. Gjatë mbledhjes që nisi që në orët e paradites dhe zgjati deri ne orët e drekës në Presidencë, mësohet se i zgjedhuri ka pranuar kushtet e vendosura për krijimin e qeverisë së unitetit. Në mbledhje kanë qenë të pranishëm presidenti Papulias, kryeministri në ikje Jorgos Papandreu, kreu i Nea Dimocratia, Antonis Samaras dhe lideri i Laos, Karatzaferis.Pas takimit që ka zgjatur rreth një orë e 40 minuta në Presidence është thirrur edhe Papadimos, i cili është shoqëruar nga shtëpia e tij me eskortë policie. Gjithashtu u raportua se në kuadër të zhvillimeve të ditës, mësohet se Kryepeshkopi grek ka anuluar një udhëtim të tij jashtë Athinës, fakt që sipas mediave vërteton se është çështje orësh betimi i qeverisë dhe kryeministrit të ri, sipas kushtetutës së vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›