E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria nuk ka importuar energji nga Kosova

Lajmet se prodhuesi shqiptar KESH ka importuar energji elektrike nga korporata e Kosovës KEK nuk janë të vërteta. Kështu  deklaruan drejtuesit e të dy korporatave pas një takimi të zhvilluar në Tiranë. Arben Gjukaj, drejtuesi i KEK dhe Muharrem Stojku shefi i KESH dhanë shifrat e shkëmbimeve për nëntorin dhe dhjetorin 2009.

”Të gjitha bilancet e deritanishme janë në favor të KESH. Të gjitha
shkëmbimet janë në favor të KëSH. Korporata Elektroenergjitike e Kosovës
që nga viti 1999 është Korporatë e cila importon energji elektrike dhe
nuk ka mundësi eksporti. Shtrëmbërimet e lajmit na kanë prekur shumë dhe
unë shpreh keqardhjen për këtë” tha drejtori i KEK Arben Gjukaj.

”Në muajin nëntor ne kemi eksportuar në KEK 15 milionë kilovat/orë nga
eksporti total që ka qenë 95 milionë e 500 mijë kilovat/orë. Në muajin
dhjetor kemi eksportuar gjithsej 71.4 milionë kilovat/orë nga të cilat
15.730 milionë janë eksport në KEK. Bilanci gjithmonë është në favor
pozitiv për KESH duke ditur që tarifa e shkëmbimit është 1 me 2” tha
drejtori KESH, Muharrem Stojku.

Për drejtuesit e dy korporatave sistemet energjetike te Shqipërisë dhe
Kosovës janë plotësisht komplementare. Ky fakt u vërtetua në 10 ditëshin
e parë të janarit, kohë kur KESH ishte në emergjencë për shkak të
reshjeve të larta.

”Deri në datën 12 kemi pasur një marrëveshje me KEK
që të japim maksimalisht energji. Kishin ndalur 2 blloqe energjitike.
Bilanci ka qenë afërsisht 5.5- 6.5 milionë kilovat/orë në ditë që i kemi
dhënë KEK i cili është ndërprerë në orë 12:00 të natës së datës 12
mbasi ata lëshuan blloqet dhe pasi edhe situata jonë u përmirësua dhe
arritëm të bëjmë kontrata shitje të cilat i kemi sot në përdorim ku
shesim 440 mega në orë ose 10.6 milione kilovat/orë në ditë” tha Stojku.

”Ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej në ndërtimin e linjës 400
kilovoltëshe e cila për momentin paraqitet si pengesë. Dy sistemet janë
duke shkuar drejt unifikimit. Ka vullnet të mirë dhe ky vullnet do të
vazhdojë” tha Gjukaj.

Mes Shqipërisëe Kosovës kanë nisur procedurat dhe janë gjetur financimet
për ndërtimin e një linje interkonjeksioni 400 kilovolt. Kjo linjë bën
lidhjen e plotë mes sistemeve energjetike.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›