Leku, sërish i dobët para euros
Leku zhvlerësohet kundrejt euros, duke arritur vlerën më të ulët historike që prej janarit të vitit të kaluar, kur kriza financiare ndërkombëtare i është afruar kulmit të saj. Të enjten paradite, në tregun e lirë valutor një euro u ble mesatarisht për 138,9 lekë dhe u shit me 139 lekë. Por në banka 1 euro është zhvlerësuar edhe më shumë, deri në 140 lekë. Agjencitë e këmbimit valutor thonë se bankat kanë hyrë në treg për të blerë euro, ndërkohë që prurjet e kësaj monedhe nga emigrantët në festat e fundvitit nuk kanë mundur ta përballojnë këtë goditje zhvlerësuese të lekut. Një tjetër arsye, që sipas agjencive të këmbimit ka sjellë zhvlerësim të mëtejshëm të lekut kundrejt euros, është edhe kërkesa e lartë për këtë monedhë nga kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri.
Ato po transferojnë fitimet e tyre jashtë pranë kompanive mëmë, duke bërë që kërkesa për monedhën europiane të enjten të arrijë pikun. Kërcimi i euros në vlera të larta kundrejt lekut është një fenomen i përsëritur këto dy vitet e fundit me intensitet të lartë, edhe për shkak të krizës që duket se nuk është kuruar plotësisht. Ka agjenci këmbimesh që mendojnë se një tjetër arsye që mund të ketë zhvlerësuar lekun janë edhe shpenzimet e larta të përqendruara që po kryen qeveria për të përballuar situatën emergjente në veriperëndim të vendit, për shkak të përmbytjeve të këtyre 10 ditëve të fundit. Parashikimet e ecurisë së kursit të këmbimit mbeten tepër të pasigurta, thonë ekspertët, pikërisht për morinë e këtyre shkaqeve që, gjithsesi, janë momentale. Zhvlerësimi të enjten i lekut është nën nivelin më të lartë historik që prej hyrjes në treg të monedhës europiane, me përjashtim të periudhës janar-shkurt 2003, kur euro kërceu mbi 140 lekë.
#