Arabët, të interesuar për energjinë diellore
Takimi me Berishën
Kryeministri Berisha priti dje drejtorin e përgjithshëm të kompanisë MASDAR, pjesë e grupit financiar MASDAR nga Abu Dabi, Joachim Nell. Interesi i kësaj kompanie të madhe të energjisë së rinovueshme ishte investimi në Shqipëri në prodhimin e energjisë diellore. Nell përgëzoi Kryeministrin Berisha për sukseset e Shqipërisë në këto vitet e fundit, si edhe për klimën atraktive për biznesin, të krijuar në Shqipëri, veçanërisht në fushën e prodhimit të energjisë. Ai theksoi se grupi i madh financiar nga Emiratet e Bashkuara, krahas impiantit MASDAR PV në Gjermani, ka interes të zgjerohet edhe në Shqipëri, kjo në përputhje me synimin e qeverisë shqiptare për ta kthyer vendin në një qendër energjetike në rajon dhe në Europë. Kontributi i qeverisë shqiptare në mbrojtjen e ambientit, tha Nell, konsiston edhe në zgjerimin e burimeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme. Kryeministri Berisha e falënderoi Nell për interesin dhe planet e kompanisë që ai përfaqëson për të investuar në Shqipëri dhe i garantoi mbështetjen e qeverisë së tij në suksesin e projektit që do të realizojë. Kryeministri, pasi e njohu më gjerë me objektivat e reformave në fushën e energjisë së rionovueshme, e ftoi grupin financiar MASDAR, me qendër në Abu Dabi, të shtrihet edhe në financimin e projekteve ekzistuese në fushën e energjisë, si edhe në ato të ardhme.
#