Qeveria hyn në krizë, kërkon 300 milionë euro borxh nga bankat
Procesi
Ministria e Financave shpall tenderin për hedhjen në treg të eurobonit
Qeveria shqiptare kërkon të marrë borxh nga bankat e huaja plot 300 milionë euro. shuma nevojitet për të shlyer një pjesë të huasë të marrë për rrugën Durrës - Kukës, e cila kushtoi mbi 1 miliard euro. Ministria e Financave ka përgatitur termat e kredisë dhe ka hapur tenderin për gjetjen e “menaxherit” që do të merret me procesin. Plani i Financave është hedhja në tregun e huaj bankar të eurobonit, duke synuar interesa më të ulëta sesa vitin e kaluar. Tjetër fakt i marrjes së kredisë është shmangia e riskut që mund të vijë nga bankat vendase, duke i dhënë hapësirë kreditimit për biznesin, si dhe një zhbllokim të lekut, i cili ndodhet nën presion nga euro.
Afati për shlyerjen e borxhit do të jetë 3-5 vjet, por si fillim qeveria duhet të gjejë kompaninë që do të menaxhojë procesin. Për këtë konsulentit i është lënë afat data 30 janar. Ai duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve të Financave lidhur me ankandin.
Aktualisht Ministria e Financave po shikon mundësinë e rishikimit të buxhetit të vitit 2010. Ekspertët e ministrisë pranojnë efektet që po jep kriza, sidomos te të ardhurat, dhe për këtë kanë përgatitur një skenar që parashikon uljen e shpenzimeve.
Sipas të dhënave zyrtare, borxhi i marrë në dy vitet e fundit e ka kaluar nivelin e 700 milionë dollarëve. Herën e fundit qeveria mori 200 milionë euro, me interes rreth 11 për qind, si nevojë për të financuar rrugën Rrëshen - Kalimash, pjesë e Durrës - Kukës.
#