Papajani, biznesit: Kasat, vetëm nga 5 firmat e kontraktuara nga Ministria e Financave
Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Artur Papajani, u shpreh për gazetën SOT, se ka përfunduar afati i pajisjes me kasa fiskale për bizneset, të cilat ishin paralajmëruar edhe më parë se data 15 janar do të ishte dhe fundi i këtij afati të vendosur. Prej ditës shtunë fillojnë penalizimet për të gjitha bizneset e mëdha të cilat do të kapen gjatë inspektimeve tatimore, u shpreh Papajani. Ndërsa theksoi se të gjitha bizneset duhet të jenë të pajisura me
kasë vetëm nga firmat të cilat kanë fituar tenderin dhe kanë kontratë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe janë të kontraktuara nga ana e Ministrisë së Financave. Sipas tij nuk do të njihet asnjë kasë tjetër, për faktin se nuk mund të kontrollohet nga ana e DPT, sepse nuk është e regjistruar në sistemin elektronik të saj. Ai theksoi se ligji për vendosjen e pajisjeve fiskale është një hap i suksesshëm në drejtim të uljes së informalitetin dhe evazionit fiskal. Sipas tij subjekti privat nuk ka të drejtë të ndërhyjë te pajisja në rast se ajo nuk funksionon. Për rregullimin e kasës fiskale do të njoftohet shoqëria e autorizuar për shërbimin në fjalë, e cila ka dalë fituese në tenderin për fitimin e kësaj të drejte. Gjithashtu ai theksoi se bizneset e vogla kanë kohë deri në 30 qershor të këtij viti për pajisjen me kasa fiskale, duke ju kërkuar këtyre të fundit që të filloj ë pajisjen, në mënyrë që të gjitha palët të jenë në rregull me njëra tjetrën. Ne kërkojmë nga të gjitha bizneset që të pajisen me kasa fiskale, në mënyrë që të jenë në rregull me ligjet e shtetit shqiptar, u shpreh Papajani. Ndërsa shpjegoi se përgjimi i telefonave do të bëhet vetëm për punonjësit e administratës së tatimeve. Papajani theksoi se janë ngritur 3 njësi, të cilat do të survejojnë 1600 punonjësit e kësaj administrate në të gjithë Shqipërinë. Dua të theksoj edhe njëherë se nuk do të ketë përgjim të bizneseve, por vetëm përgjim të punonjësve të administratës tatimore, pasi na rezulton se disa herë punonjësit tanë kanë marrë ryshfet, vijoi Papajani. Ndërsa shpjegoi se roli i këtyre njësive do të jetë i njëjtë me atë të SHIK-ut brenda kësaj administrate. Papajani theksoi se ngritja e këtyre njësive bëhet për të luftuar korrupsionin.
Last Updated on E Shtune, 16 Janar 2010 22:53