E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherman-Chase: Digat shpëtuan veriperëndimin nga katastrofa

Eksperti britanik Andreu Sheerman-Chase, flet për gjendjen e digave në Shqipëri

Ekspertët botërore të digave, kanë shpjeguar se ishin digat ato që shpëtuan veriun e Shqipërisë nga katastrofa. Andreu Sheerman-Chase, ekspert britanik për digat, u shpreh se digat e hidrocentraleve kanë shmangur katastrofën si pasojë e situatës ekstreme të motit në fillim të janarit në veri të vendit. Pasi ka parë nga afër zonat e përmbytura, ai tha se konstaton një përmirësim të ndjeshëm të situatës. Ndërsa për kritikat e bëra nga disa prej ekspertëve vendas

se operimi i digave ka ndikuar për keq gjatë situatës, ai theksoi se është e kundërta, pasi në rast se digat nuk do të kishin funksionuar atëherë veriu i Shqipërisë do të shihte një katastrofë shumë herë më të madhe. Mora vesh se ka pasur kritika në lidhje me operimin e digave, por opinioni ynë është se digat nuk e kanë përkeqësuar situatën, në fakt, situata do të ishte shumë më e rëndë nëse digat nuk do të funksiononin, u shpreh Sheerman-Chase. Për ekspertin britanik, i angazhuar në zgjidhjen e një situate të ngjashme vitin e kaluar në Rumani, situata duket se po përmirësohet ndjeshëm falë angazhimit të strukturave përgjegjëse. Sipas tij shumë shpejt do të hartohet edhe një plan veprimi, ku emergjente është drenazhimi i Drinit dhe Bunës për të shkarkuar shpejt ujin e tepërt. Do kemi një propozim në 3 faza. Afatshkurtër duhet përmirësuar rrjedha e lumit dhe forcimi i pritave në zonat kritike. Duke shkuar në afatgjatë në ripyllëzimin e zonës dhe menaxhimin e mirë të tokës. Mendoj se deri tani qeveria ka bërë një punë të mirë në përballimin e situatës, vijoi Sheerman-Chase. Eksperti i digave bëri dhe një këshillë edhe për banorët e zonës. Një problem i konstatuar ishte se njerëzit kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme në zonat pranë digave, ata duhet të jenë të kujdesshëm ku ndërtojnë për të mos u rrezikuar nga përmbytjet. Sipas tij shtëpitë e ndërtuara pranë digave kanë gërryer argjinaturën përreth e cila rrezikon seriozisht që të shkatërrohet e gjitha, prandaj ai këshilloi qeverinë shqiptare që të merret menjëherë me largimin e këtyre banorëve nga shtëpitë dhe të mos lejojë askënd që të ndërtojë shtëpi afër digave. Ndër të tjera eksperti britanik theksoi se situata është menaxhuar mjaft mirë nga organet kompetente, të cilat sipas tij i kanë vënë në punë digat në momentin e duhur. Ndërsa për përmbytjet e mëdha që përfshinë veriun e vendit, ai theksoi se kjo erdhi nga tejmbushja e lumenjve de jo nga menaxhimi i dobët i hidrocentraleve. Ndërsa ju bashkua mendimit të këshilltarit italian, Roberto Guercio, se digat shqiptare në asnjë moment nuk kanë rrezikuar shpërthimin. Ai theksoi se pasi është njohur me situatën e kaluar, ka arritur në konkluzionin, se digat nuk mund të shpërthenin, pasi niveli i ujit në to ka qenë normal për tu përballuar për periudhën në të cilën jemi. Shpërthimi i digave ka qenë dhe një nga idetë e shumta që qarkullonin në Shqipëri. Por pasi jam njohur me situatën që keni kaluar, mund të them se digat nuk e kanë rrezikuar në asnjë moment shpërthimin, tha eksperti britanik i digave. Situata në veri të vendit ditët e fundit ka ardhur drejt përmirësimit, ku METE ka deklaruar dy ditë më parë së janë mbyllur të gjitha portat e hidrocentrale, ndërsa  ka bërë të ditur se niveli i ujit në liqenet e Fierzës dhe Komanit ka rënë nën kuotën maksimale. Sipas sqarimit të sotëm, niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka rënë në 289.91 metra, ndërkohë që prurjet janë 350 metra kub për sekondë. METE bën të ditur se situata është e normalizuar, dhe derdhjet janë ndërprerë në të tria këto liqene. Situata në ditët në vijim pritet që të përmirësohet edhe më tej.Taulant Halili

Last Updated on E Shtune, 16 Janar 2010 23:09

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›