ATK dërgon në gjykatë 50 dosjet e kreditorëve me 1.2 miliardë lekë debi
Rakipi: Penalizimet, në dorë të drejtësisë Agjencia e Trajtimit të Kredive ka dërguar në gjykatë 50 dosje të kreditorëve të cilët nuk kanë shlyer kredinë e marrë para 15 vjetësh në bankat e nivelit të dytë. Nëndrejtori i këtij institucioni, Fahrudin Rakipi theksoi se kjo masë e marrë vjen pas faljeve të shumta që janë bërë nga ana e agjencisë dhe e qeverisë për këta kreditorë, të cilët ende nuk kanë shfaqur asnjë reagim. Agjencia e Trajtimit të Kredive, ka dërguar 50 dosje në gjykatë, pasi askush prej këtyre
klientëve nuk ju përgjigj thirrjeve tona. Në këto dosje janë disa prej kreditorëve të cilët nga kreditë e marra para 15 vjetësh nuk kanë bërë asnjë shlyerje, u shpreh Rakipi. Ndërsa theksoi se këta kreditorë nuk reaguan korrektë me thirrjen e bërë nga ATK, ku sipas tij askush nuk bëri shlyerjen. Ai tha se shuma totale e borxheve të kreditorëve të palikujduara në 50 dosjet e çuara në gjykatë, kap shifrën e 1.2 miliardë lekëve, duke i llogaritur së bashku me kamatëvonesat që këto dosje kanë ndër vite. Thirrjes sonë, nuk ju përgjigj askush prej këtyre kreditorëve, kështu që ne i dërguam dosjet në gjykatë. Shuma totale e këtyre 50 dosjeve arrinte në 1.2 miliardë lekë, duke llogaritur këtu edhe kamatëvonesat që këto kanë bartur ndër vite, vijoi Rakipi. Ndërsa paralajmëroi edhe njëherë të gjithë klientët e ATK-së, se të njëjtin fat do të kenë të gjithë të tjerët, në rast se nuk do ju përgjigjen thirrjeve të ATK-së. Rakipi theksoi se shumë prej bankave e kanë përdorur sistemin over-draft, për të dhënë kredi deri në masën e 1 milionë lekëve të reja, duke marrë garanci nga klienti vetëm një makinë, të cilën ky i fundit më vonë e ka shitur ose e ka falur, duke theksuar se ATK nuk ka ndërmend të ndjekë një linjë të tillë, ku ti falë paratë. Gjithashtu ai theksoi se mbledhja e këtyre kredive për bankat do të ishte gati një mision i pamundur, pasi sipas tij në listat e kreditorëve të këtyre bankave, rezulton se disa prej klientëve janë jashtë shtetit, e cila sjell si pasojë dhe mos marrjen e këtyre parave. Por sipas Rakipit sistemi bankar në Shqipëri nuk e kishte parashikuar krizën financiare, e cila solli edhe këtë rritje të kredive të këqija. Agjencia e Trajtimit të Kredive, kërkon nga të gjithë kreditorët e saj që të paraqiten dhe të shlyejnë të gjitha detyrimet që ata kanë, në rast të kundërt do të ketë penalizime. Rakipi se mbas thirrjes së bërë nga ATK i janë përgjigjur pozitivisht shumë kredimarrës, por theksoi se ka akoma dhe shumë të tjerë. Ndërsa ripërsëriti edhe një herë thirrjen për të gjithë kreditorët, se të gjithë ata që do të shlyejnë kredinë e marrë brenda datës 30 qershor të këtij viti, do ju falen 80 për qind e kamatëvonesave, ndërsa shtoi se pas kësaj date do të fillojnë penalizimet. Gjithashtu tha se agjencia ju ka krijuar mundësinë të gjithë kreditorëve që të shlyejnë kredinë e marrë. Sipas tij, të gjithë klientët e ATK-së kanë kohë që të përfitojnë nga këto falje Ai theksoi se të gjithë ata që do të shlyejnë kredinë e marrë brenda datës 30 qershor të këtij viti, do ju falen 80 për qind e kamatëvonesave, ndërsa shtoi se pas kësaj date do të fillojnë penalizimet. Ai tha se këto masa shtrënguese vijnë për faktin, se ATK është krijuar për mbledhjen e këtyre kredive, dhe është një institucion që punon vetë për këtë punë. Ndër të tjera ai theksoi se do të përfitojnë në masën 75 për qind të interesave të kamatëvonesave e gjobave të transferuara nga bankat e të llogaritura në ATK, për debitorët që klasifikohen me detyrim në principal të transferuar mbi 3 milion lekë, dhe që ofrohen në ATK për likuidimin me këste të detyrimit brenda periudhës janar-qershor 2010. Gjithashtu përfitojnë falje në masën 65 përqind të interesave kamat vonesave e gjobave të transferuara nga bankat e të llogaritura në ATK, për debitorët që klasifikohen me detyrim në principal të transferuar mbi 3 milion lekë dhe që ofrohen në ATK për likuidimin me këste të detyrimit pas muajit qershor të vitit 2010, përfundoi Rakipi.Taulant Halili