"Papajtueshmëria" mes librit dhe TV-së"
Që mijëvjeçari i ri do të ishte ai i shpejtësisë dhe lëvizjes, këtë e shkroi Calvino në “Leksionet Amerikane” që më 1985. Dhe s’ka sesi të ndodhte ndryshe. Lëvizja kërkon lehtësi për të qenë e shpejtë, kërkon zbrazje valixhesh. Dhe ky është ligj fizike. Po ligjet e kësaj bote janë rregullatorë të të gjitha fushave të dijes, qofshin shkencore apo humane. Ishte lëvizja, komunikimi, shpejtësia, ritmi që diktuan ndryshimet dhe ndërhyrjen e mendësisë lehtësuese që dukej e huaj për një shekull më parë. Vargu i Kavafis “sot do të vijnë barbarët”, shkruar në fillim shekullin e kaluar (1903), ishte paralajmërimi i ndryshimeve të mëdha. Vetë fjala “barbarë”, me prejardhje onomatopeike, nënkupton diçka që nuk kuptohet, që është e huaj, jo civile. Kavafis përfundon mendimin se barbarët që priste nuk erdhën. Pse? - pyesim ne shumë më vonë. Sepse barbarët tashmë janë mes nesh. Shekulli i ndryshimeve të mëdha e solli të huajën mes nesh dhe ishim të detyruar të bënim marrëveshje, të jepnim e të merrnim për të bashkëjetuar, duke zbuluar kështu se marrëveshja do të thotë tolerancë, heqje dorë nga diçka jotja për të pranuar diçka të tyren. E huaja dhe e ndryshmja nënkuptohet dhe në mënyrën e të menduarit. Gjashtë çelësat e zbërthimit të shekullit dymijë të Calvino-s na e shpjegojnë qartë këto ndryshime, tëhuazime. Por unë do të ndalem tek tëhuazimi apo barbarizimi i fushës sime, librit. Kur Alessandro Bariço shkroi artikujt seri në Corriere della Sera, të përmbledhura në librin eseistik “Arritën barbarët”, e përqendroi fenomenin e “barbarizimit”, apo ndryshimit të librit, në dy aspekte kontradiktorë të kohës sonë: “1) mendimi klishe që ‘sot nuk lexohet’ 2) dhe se ata që merren sot me librin mendojnë vetëm për përfitimet që i arrijnë”. Po nëse nuk lexohet, atëherë si arrijnë “punëtorët” e librit të bëhen të pasur dhe të përfitojnë? A nuk kundërshtojnë njëra- tjetrën këto dy konkluzione? Jo, nëse i referohemi “tëhuazimit” apo “barbarizimit” të librit, apo thënë alla kalviniane “lehtësimit” të tij. Libri i shekullit të kaluar është prodhim i mendjeve të ndritura të kohës, i elitës që printe mendimin, ndërsa libri i barbarizuar është prodhim i gjithkujt e për gjithkënd. Libri i sportistit të dashuruar, këngëtares së skandaleve, kuzhinieres së talentuar, telenovelës pornografike, apo qoftë dhe libri pa fjalë i fotografive e peizazheve. Tashmë libri është lehtësuar në peshë që të lëvizë më lirshëm dhe më shpejt duke iu përshtatur ritmeve të kohës, për të lundruar në sipërfaqe. Por kjo nuk nënkupton humbjen e librit të ashtuquajtur të rëndësishëm. Sepse secili nga këta libra e ka një target grup dhe e plotëson një mision. Secili prej tyre ka një peshë mbajtëse: ndërtimin e logjikshëm të fjalisë, vizatimin piktoresk të ngjarjeve, edukimin me leximin masiv. Lehtësia që paralajmëron Calvino e ka bazën mbështetëse tek pesha, “si softëare tek hardëare”. Prirja e kohës për komunikim të shpejtë dhe të gjithanshëm nënkupton infektimin dhe përzierjen e të dyjave: për gjërat me vlerë e të rënda kërkohen rrugë të shpejta e të lehta komunikuese: për shembull, për të shitur Prustin apo Xhojsin krijohen kolana librash xhepi që i bashkëngjiten gazetave me tirazh të madh. Pra ndërkohë që lexuesi informohet për silikonin, hedh një sy edhe tek “koha e humbur” e Prustit, edhe pse kolosët kërkojnë kohë dhe nuk mund të përvetësohen të fragmentarizuar. Po kjo është rrenka e shekullit. Jam rrekur gjatë gjithë kësaj kohe për të kuptuar kohën e tëhuazimit dhe për të ndërfutur në kanale komunikimi peshën e madhe të mendimit të librave. Arsyetim i gjatë i gjithëmësipërm ndoshta për të shpjeguar idenë e një emisioni ku bëhet një përpjekje për të “lehtësuar” bibliotekat. E tërë pesha e tyre, që ka formuar breza vjen në një emision televiziv nëpërmjet sipërfaqësisë së imazhit. Mendimtarët, filozofët, shkrimtarët e librave të rreshtuar në biblioteka flasin me kapakët e tyre dhe me rrëfimin e personazheve që i kanë përdorur. E gjitha funksionon si rrenka e gazetës me tirazh të madh: pamja e bibliotekës, udhëtimi sa në një dhomë në tjetrën “shet” peshën e rëndë të mendimtarëve të bibliotekës. Historitë e blerjes, emocionet e leximit dhe sidomos personaliteti i mbartësve, “shet” dhe komunikon mesazhin e rëndësisë së librave në vetvete. E tërë biblioteka është një “hardëare” i fuqishëm që del në sipërfaqe për t’iu paraqitur kohës moderne nëpërmjet një “softëare” imazhi dhe kujtimi rrëfimesh. Është një mënyrë për të rrëzuar mendimin klishe të papajtueshmërisë së paradokseve libër-tv. Është si sajesa e trilerit të Umberto Eco-s për të shitur dijen e “Erës së trëndafilit”. A funksionon? Nuk e di; që të mbahet një peshë e rëndë dhe të lëvizë shpejt, varet sesa të shpejta, të bukura e të lehta janë shinat…Megjithatë përpjekja për ta sjellë “Odën” e vjetër të librit në ekranin e ri, është bërë.
/Mimoza Hysa/Shkrimtare/