Papandreu: Kriza mund te perhapet ne eurozone
ATHINE- Kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu ka paralajmëruar se problemet ekonomike të vendit të tij mund të përhapen duke infektuar dhe vende të tjera. Ai e bëri këtë paralajmërim në një intervistë dhënë kanalit të parë televiziv të BBC-së. Papandreu e përshkroi këtë kohë, si një prej momenteve më të vështira të historisë bashkëkohore të Greqisë. Por ndërsa ai e gjen vendin e tij në epiqendër të diskutimeve nervoze rreth shëndetit të ekonomisë evropiane në përgjithësi, nuk beson se ai duhet veçuar. Ai tha se Greqia duhet lejuar që të marrë hua me të njëjtën kamatë si vendet e tjera dhe se qeverisë së tij i nevojitet mbështetje politike, jo financiare, për të demonstruar se sërish mund t'i besohet. Ai paralajmëroi për pasoja serioze nëse Greqisë i mohohet asistenca. "Ne jemi një vend që nuk mund t'i përballim spekulimet të vetëm. Kështu që ky është bërë një problem evropian", - tha ai. "Nëse ne kemi një problem të madh, ai mund të infektojë dhe vende të tjera, të cilat nuk duhen fajësuar". Monedhës së përbashkët evropiane nuk i është dashur më parë të përballet me ndonjë krizë globale të ekonomisë. Papandreu tha se hollësirat për mjetet financiare që do të çonin në zgjidhjen e krizës ende nuk janë gjetur, por ai shprehu optimizëm se sfidat e paprecedenta mund të çojnë në rezultat pozitiv. "Tani jemi në fazën laboratorike dhe le të shpresojmë që ky eksperiment të jetë i suksesshëm për Evropën, duke vënë në sprovë unitetin e Evropës në një mënyrë pozitive", - tha ai. Papandreu përfundoi duke i bërë thirrje audiencës televizive që të mos tërhiqet nga ajo që dëgjon për të mos vizituar Greqinë. Greqia është një destinacion popullor për shumë britanikë dhe evropianë. Megjithatë, ideja kryesore e intervistës ishte se ka shumë për të bërë para se gjërat të fillosh t'i marrësh më shtruar. Frymëmarrja e lehtësimit që i dha qeverisë greke vendimi i së enjtes i Bashkimit Europian për t'i ofruar mbështetje Greqisë, mund të shndërrohet në ankth, nëse ecuria e programit të stabilitetit ekonomik vë në diskutim arritjen e objektivit për uljen e deficitit në masën 4 për qind brenda këtij viti. Ministri i Financave, Jorgos Papakonstandinu tha se qeveria është e gatshme për marrjen e masave shtesë. Por, ai tha se koha e përshtatshme nuk ishte në këto momente. "Nëse do të merreshin tani këto masa, do të jepnim një mesazh negativ për tregjet financiare. Nëse në mesin e muajit mars vërehet qoftë dhe devijimi më i vogël nga objektivat e planit të stabilitetit, atëherë do t'i marrim masat shtesë", - tha ministri grek i Financave. Burime të shtypit në Athinë citojnë ekspertë të Komisionit Europian, sipas të cilëve, zbatimi i masave që janë komunikuar deri më tani, mbulon vetëm rreth dy të tretat e objektivit të qeverisë greke për ta ulur me 4% deficitin buxhetor brenda këtij viti.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)