E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkeqësohet situata në Strugë e Ohër

SHKUP- Shkarkimet nga Liqeni i Ohrit që bëhen përmes portave të shkarkimit në lumen Drin, ku janë të hapura 5 porta të shkarkimit, nuk rezultuan me zvogëlimin e nivelit të ujit në Liqenin e Ohrit, përkundër mbi 70 metra kub ujë sa shkarkohen në 5 portat. Niveli i Liqenit të Ohrit dita ditës rritet dhe sot, sipas matjeve të fundit, arrin në 693.89 m lartësi mbidetare, që është 14 cm mbi kuotën maksimale, sipas Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Bile, kjo sasi e ujit që shkarkohet nga Liqeni, ka sjellë edhe daljen nga shtrati të lumit Drin, në pjesën e rrugës Strugë-Dibër, në afërsi të fshatit Llukovë, ku ka ndërhyrë Shtabi i Krizës dhe janë vendosur argjinaturat mbrojtëse. Në Strugë, ujërat kanë depërtuar nëpër bodrume, duke pasur parasysh se është ngritur edhe niveli i ujërave nëntokësor. Niveli i lartë i Liqenit të Ohrit, që ditëve të fundit shpesh po trazohet duke shkaktuar dallgë të larta mbi një metër, ka dëmtuar rëndë plazhet dhe rrugët, duke gërryer bregun. Erozioni ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, për të cilat askush nuk merr përgjegjësinë, duke u thirrur se ato janë pasoja të fatkeqësisë elementare. Ndërkaq, banorët e fshatit Peshtan të Ohrit, ballafaqohen me përmbytjet e papara gjatë 60 viteve të fundit.

Reshjet e pandërprera dhe sjelljet e pakontrolluara të sasisë së ujërave që arrijnë në liqet akumulues në Glloboçicë, Shpile dhe vazhdojnë ngarkimin edhe të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës kanë detyruar autoritetet shqiptare për të hapur portat e shkarkimeve në hidrocentralin e Komanit dhe të Vau i Dejës, ndërkohë që nuk ka shkarkime nga hidrocentrali i Fierzës.
(m.a/ina/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›