E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu: Mund të mos paguajmë borxhet pa ndihmën e BE-së



Kryeministri i Greqisë Jorgos Papandreu paralajmëroi se vendi i tij mund të mos jetë në gjendje të paguajë borxhin, nëse nuk merr ndihmë nga Bashkimi Europian. Shefi i qeverisë greke, u kërkoi ligjvënësve europianë mbështetje për të vazhduar masat e forta që ka vënë në zbatim qeveria për të nxjerrë vendin nga kriza. Qeveria greke duhet të marrë borxh 53 miliardë euro në tregjet financiare këtë vit dhe duhet të rifinancojë një borxh prej rreth 20 miliardë eurosh në muajt prill dhe maj, që aktualisht janë me norma interesi të papërballueshme, sipas shumë analistëve. Papandreu foli për rrezikun që i kanoset vendit nëse nuk arrin të marrë kredi me interesa të përballueshme. Normat aktuale të interesit në tregun botëror do ta linin Greqinë të pambrojtur përballë spekulantëve financiarë, paralajmëroi Papandreu. Kryeministri grek nënvizoi se vendet që janë në vështirësi financiare kanë nevojë për një mekanizëm që t'u vijë në ndihmë. Ai tha se Greqia kishte kërkuar ndihmë financiare, por preferon që ndihma të vijë nga Bashkimi Europian dhe jo nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Masat e reja që ka marrë Greqia, synojnë të ulin deficitin nga 12.7 për qind në 8.7 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto këtë vit. Ministrat europianë të financave shprehën këtë javë mbështetje për planet e vendeve të eurozonës për të ndihmuar Greqinë, nëse ajo kërkon ndihmë. Javën e ardhshme Bashkimi Europian zhvillon një takim të nivelit të lartë në Bruksel.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›