E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenden dy binjake të vdekura, dyshohet helmim nga qumështi

Dy foshnje binjake 5-muajshe janë gjetur të vdekura nga i ati gjatë natës së kaluar. Ende nuk janë përcaktuar shkaqet e vdekjes së tyre, por dyshohet një helmim i mundshëm nga qumështi me të cilin e ëma i kishte ushqyer disa orë para se t‘i gjente të vdekur. Mësohet se bebet 5 ditë para vdekjes ishin vaksinuar dhe nuk kishin pasur probleme, ndërsa dy ditët e fundit kishin qenë në gjendje gripale. Hetimet janë përqendruar te qumështi me të cilin janë ushqyer dy foshnjat para se të viheshin në gjumë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Fllakë të Komunës së Katundit të Ri, në familjen e shtetasit G.V. Bebet binjake të kësaj familjeje, me inicialet M.V. dhe B.V., që kishin ardhur në jetë më 13 korrik të këtij viti, u gjetën të vdekura, ndërsa goja u shkumëzonte. Gjyshja e tyre ka treguar se ka qenë i biri, babai i foshnjave, ai që ka vërejtur se ato nuk jepnin asnjë shenjë jete. I alarmuar ka thërritur të shoqen, por çdo tentativë për t‘i shpëtuar ka qenë e kotë, pasi binjakët kishin ndërruar jetë. Me marrjen e njoftimit, disa orë më vonë, në vendngjarje shkoi grupi hetimor, i cili mblodhi deklarimet e familjarëve që kanë shpjeguar se dy foshnjat, njëri djalë dhe tjetra vajzë, pas vaksinimit nuk kanë paraqitur ndonjë shqetësim apo temperaturë të lartë. Gjatë këtyre ditëve ato kanë qenë në gjendje gripale, por pa shfaqur ndonjë temperaturë shqetësuese për shëndetin e tyre. Po sipas këtyre deklarimeve, një natë më parë, rreth orës 20.00, dy foshnjat janë ushqyer nga nëna e tyre me qumësht e biskota dhe më pas janë vënë për të fjetur. Rreth orës 02.30, i ati ka shkuar t‘i kontrollojë si zakonisht, por i ka gjetur bebet pa jetë. Menjëherë familjarët kanë njoftuar mjekun e familjes, i cili ka konstatuar se dy foshnjat kishin vdekur. Nga këqyrja e trupave nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme në trupat e vegjël. Bebet, sipas burimeve zyrtare të policisë, iu nënshtruan autopsisë pranë spitalit të qytetit të Durrësit, me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes, ndërsa materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për kryerjen e hetimeve të mëtejshme dhe sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Vdekja dyshohet të jetë shkaktuar nga një helmim i mundshëm prej qumështit, por priten përgjigjet e kampioneve të marra për të përcaktuar saktë shkakun e vdekjes. V. Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›