E Shtunë, 31 Tetor 2026

STERILITETI I INTELEKTUALEVE

Shqipëria në udhëkryq. Polemikat banale midis liderëve të dy partive kryesore, janë dëshmi e qytetërimit të popullit tonë. Njëkohësisht shprehin diferencimin e strukturës shpirtërore e morale të individëve, sipas përkatësisë së prejardhjes të mjedisit krahinor e familjar. Elementët e ndryshëm të qytetërimit, shfaqen si një shpërthim i strukturës së tyre psikike, që vjen nga mënyra e të menduarit, e të jetuarit e trashëgimia mjedisore. Në rast se kemi një lajthitje të individëve liderë, që na shokon e ligështon, ajo bëhet më e neveritshme, kur dëgjon korin e korbave, që ju bëjnë tifo individëve të tyre të preferuar. Është për të ardhur keq, që në këtë kor bashkohet edhe kryeparlamentaria znj. Jozefina Topalli, me ison e saj "melodioze". Ndryshimet e thella që ekzistojnë në strukturën psikike të intelektualëve, në krye të partive, tregojnë për diferencat që kanë në perceptimin e qytetërimit. Nga mënyra e sjelljes publike, shohim se ata ndiejnë, arsyetojnë, mendojnë e veprojnë, duke e quajtur të moralshëm qëndrimin e tyre. Ata harrojnë, se të qenët liderë i privon nga disa ndjesi e veti personale, qofshin ato edhe karakteriale. Kur je në krye të një subjekti politik apo shoqëror, nuk i takon më vetes dhe familjes tënde, por gjithë shoqërisë. Gjuha e përdorur nga klasa politike shqiptare, e veçanërisht nga liderët "specialë," e kanë ndotur mjedisin moral të shoqërisë. Me sa duket, ata ngatërrojnë lirinë e mendimit në demokraci, duke e konvertuar me fjalën e shthurur. "Miniera" e sharjeve, po gërmohet çdo ditë, ku pasurohet fjalori me banalizma, që do t‘i kishin zili edhe njohësit e studiuesit e zhargoneve gjuhësore. Në këtë mjedis politik që po ndotet çdo ditë, vërejmë me keqardhje se zëri i elitës politike, intelektuale, është shuar, është bërë steril. Mendimi i tyre rrëfyes, fle në shtratin e oportuniteteve të pushtetit. Rrekëzat e zërit të tyre humbasin në humnerën e interesave të tyre për karrige. Dëgjon të flasin një "skuadër" opinionistësh klishe, që merren vesh pa folur, se ç‘do thonë. Masa e gjerë e intelektualëve, janë në gjumë letargjik. Indiferenca intelektuale, duke u larguar e veçuar nga turma për çështje madhore, është një sëmundje, që po kthehet në epidemi. Shumë intelektualë të zëshëm, ndjekin "horoskopin," politik dhe nuk janë kurrë vetvetja. Intelektuali superior, duhet të dijë të depërtojë në psikologjinë e turmës. Të kuptojë idetë, idealet e aspiratat abstraksioniste, e të luftojë bashkë me ta, për realizimin e tyre. Ndryshimet që ka pësuar struktura shpirtërore e popullit tonë në vitet e demokracisë, shprehin edhe nivelin e klasës politike e intelektuale në qeverisje. Disa intelektualë, i shohim të marrin formën e enës, sipas ndryshimeve që pëson politika dhe qeverisja e vendit. Ata dalin jashtë natyrës intelektuale, bëhen agresivë, servilë të liderëve, vetëm e vetëm që të përfitojnë privilegje e favore pushtetare. Një profesor lider, që ka një emër publik, duke i ofruar një "kockë" pushteti, e shohim të shitet e blihet si të jetë plaçkë tregu. Papritur, e ndryshon imazhin, tjetërsohet e shpërfytyrohet, e humbet identitetin e tij intelektual. Fuqia kundërshtuese e intelektualit, ndaj pushtetit ka rënë, është rrënuar në tapetin e gërmadhave të qytetërimit. Niçja thotë se intelektuali dallon nga të tjerët, se është vetvetja dhe është gjithmonë në opozitë me çdo qeveri që vjen në pushtet. Këta intelektualë kameleonë, janë edhe nën trysninë e shtetit, sepse praktika ka treguar që ju grabisin vendin e punës militantët konseguentë. Klasa intelektuale, e për më tepër ajo politike, do të arrijë apogjeun e madhështisë së vet, vetëm atëherë kur të vendosë paqen, midis pozitës dhe opozitës, në standarde demokratike. Etika e shfrenuar, fyerjet, sharjet, shpifjet, flasin për dobësinë morale dhe deficencat qytetare të liderëve kryesorë. Shoqëria e sotme shqiptare, ka shqetësime e probleme që nuk e përligjin klimën e nxehtë që ka prodhuar politika. Ajo që e bën më evidente situatën kritike, është se nuk duket në horizont një rreze drite, veçse për ditë, zjarrit i hidhet benzinë nga garuesit politikë, me flamurin e demokracisë. Intelektualët e zëshëm, si aristokracia e fuqishme e mendjes, me përjashtim të Dritëro Agollit, nuk po e thonë fjalën e tyre gjeneruese, për të shëruar situatën. Kontradiktat midis "toreadorëve" të Partisë Socialiste e asaj Demokratike, vijnë duke u ashpërsuar. Ata e mbajnë ndezur polemikën, saqë pika e vlimit ka vajtur në atë fazë, që nga dita në ditë mund të shkaktojë një shpërthim eksploziv. Kur acarohet situata politike në ekstrem, njerëzit shpresojnë gjithmonë te ndërkombëtarët, për të zgjidhur ngërçin. Kjo traditë e hidhur, po kthehet në modë politike. Është krijuar një kult i veçantë i militantëve të forcave politike, për t‘u kujdesur vetëm për të mbrojtur interesat familjare të liderëve, sikur vendi të jetë në një komoditet aristokratik. Indiferenca e elitës intelektuale, është vrastare për klimën politike, me frekuencë të lartë tensioni. Kjo vjen si rrjedhojë e qëndrimit denigrues që mban shteti ndaj elitës intelektuale, për preferenca politike. Ata janë vlera kombëtare, jashtë parcelave partiake dhe si të tillë, e kanë gjetur veten te kompanitë private, në kushte më komode. Administrata shtetërore, me baticat e zbaticat politike, është boshatisur nga elita intelektuale. Rreziku i vërtetë i frymës politike që po aderohet, qëndron në atë që njerëzit kanë humbur besimin në vlerën absolute të parimeve demokratike. Kodi i qytetërimit nuk lejon komunikimin me zhargon provincial. Popujve të kulturuar, u është dashur shumë shekuj të formojnë një strukturë me standarde të larta morale e psikike. Dhe kjo e ka argumentin e vet bindës. Ata janë qytetëruar nëpërmjet arsimimit, në universitetet e tyre qindravjeçare. Shqipëria ka një shtresë intelektuale relativisht të re, të papërfillshme, krahasuar jo vetëm me vendet perëndimore, por edhe me ato lindore. Universiteti ynë, daton me vitin 1957, kur në Çeki, Poloni, Rumani etj., kanë një stazh qindravjeçar. Në dallim nga ne, rruga e qytetërimit kolektiv të këtyre popujve, është e gjatë, shekullore. Pjerrësia për ta rrëzuar, është tepër e vështirë. Shtresa e intelektualëve tanë, është kryesisht me origjinë nga zona rurale, ndaj është dashur një investim i madh, për të krijuar një shpirt kolektiv, duke u afruar në një mjedis të njëjtë qytetar. Gradualisht janë krijuar ndjenja, interesa e besime të përbashkëta, por jo plotësisht të qëndrueshme. Ambienti i ri moral e fizik, ka bastarduar edhe disa tradita e zakone të shëndetshme që trashëguam nga të parët tanë. Krerët, kryepleqtë, apo burrat e Kuvendit, mbahen mend për fjalët e urta, të mençura e të matura, e jo për fyerje e sharje siç po demonstrojnë liderët e sotëm të partive politike. Roli i intelektualëve në demokraci, si "aristokracia" e shoqërisë, është që t‘i largohen origjinës, psikologjisë personale, moralit politik, fesë, e zakoneve të trashëguara, e t‘i kontribuojnë emancipimit të politikës, për të krijuar një klimë të shëndetshme, paqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›