"Ja si vendosëm që të pushkatonim Çausheskun"
Fillimisht rumunët e besuan. Ishte shumë popullor dhe kishte guximin për t‘ia kthyer fjalën Moskës. Por më pas u pasionua pas Koresë së Veriut dhe donte ta shndërronte vendin në një model të shtetit më të egër komunist. Si pasojë u shndërrua në një diktator të pamëshirshëm dhe stalinist. 20 vjet më pas, në Rumani, këto ditë njerëzit kanë kujtuar Revolucionin e famshëm të vitit 1989, që i dha fund tiranisë së famëkeqit Nikolae Çaushesku, por edhe vetë jetës së tij. Në vendin që tashmë është pjesë e Bashkimit Europian, ka ende shumë gjëra që nuk shkojnë dhe nuk dolën sipas parashikimeve, ëndrrave dhe premtimeve të bëra nga liderët e rinj të viteve të demokracisë, por ai dimër i akullt i 20 viteve më parë ka mbetur në memorien e të gjithëve. Ishin ditët kur populli dhe ushtria sfiduan me guxim pushtetarët, duke nisur një tjetër rrugëtim, atë të lirisë dhe çlirimit nga komunizmi dhe rikthimit në Europë. Sa i përket Çausheskut, ndryshe nga sa ndodhi me liderët e tjerë të Europës komuniste, ai iu nënshtrua një gjykimi të shpejtë dhe u ekzekutua së bashku me të shoqen, Jelenën. Pikërisht rënia e Çausheskut rrëfehet nga një prej dëshmitarëve dhe protagonistëve të politikës rumune në vitet në vijim: Ion Iliesku. Ai ishte një reformator i Partisë Komuniste rumune, që më pas u shndërrua në lider të pushtetarëve të rinj që morën në duar fatet e vendit, duke u zgjedhur disa herë rresht President i Rumanisë postkomuniste.
20 vjet më pas, a vazhdojnë që t‘iu përcjellin sërish emocione kujtimet e Revolucionit?
Ishte një proces i gjatë. Brezi im u rrit me shpresat që u hodhën nga Hrushovi në Kongresin e Dhjetë të Partisë Komuniste Ruse. Por më pas, në vitin 1964, Hrushovi vendosi që të impononte një tjetër mënyrë qeverisjeje të bllokut komunist. Bukureshti e refuzoi këtë mënyrë të re në marrëdhëniet mes Moskës dhe vendeve të tjera satelit. Në këtë rast, Çaushesku u tregua me kurajë. Refuzoi deindustrializimin e vendit që i diktohej nga Moska. Në ato kohë, pati një rizgjim të liberalizimit, dolën nga burgjet njerëz të dënuar për çështje politike, nuk u prishën marrëdhëniet me Izraelin, si dhe u dënua sulmi i vitit 1968 ndaj Pragës. Luajtëm në atë kohë edhe rolin e një ure lidhëse mes Sadatit të Egjiptit, Beginit të Izraelit dhe Niksonit të SHBA-ve. Ishin vite shumë shpresëdhënëse, që fatkeqësisht perënduan shpejt.
Kur dhe përse?
Në vitin 1971. Pikërisht atëherë Çaushesku nisi që të shndërrohej në një njeri me shumë dyshime dhe ndryshoi krejtësisht këndvështrim për qeverisjen e vendit. Më kujtohet një udhëtim në Azi, në Pjonjang të Koresë së Veriut. Gjatë udhëtimit më shprehu admirim të veçantë për sistemin koreanoverior. Unë në atë kohë isha anëtar i Sekretarisë. "Shoku Nikolae, i thashë, nuk mendoni se do të ishte një turp për ne që të kopjonim Kim Il Sung? Ata janë aziatikë dhe ne europianë?"
Po ai, si reagoi?
Fillimisht heshti, më pas në Plenumin e partisë më sulmoi për "intelektualizëm". Unë u përjashtova nga Plenumi, u dërgova në provincë. Në njëfarë mënyre u internova. Nisa të punoja në profesionin tim, atë të inxhinierit, por më pas ma ndaluan edhe këtë gjë. Kam jetuar vite shumë të errët. Ndërkohë ekonomia e vendit po shkonte në katastrofë dhe ishin periudha të vështira në fakt për të gjithë rumunët. Çaushesku ishte i fiksuar pas pagimit të borxhit të jashtëm dhe eksportimit të gjithçkaje që ishte e mundur. Kjo politikë ia shtoi shumë vuajtjet popullit. Në vitin 1989, kur të gjitha vendet e Europës Lindore po përgatiteshin për ndryshimet e mëdha të fundit të dhjetëvjeçarit, Çaushesku tërësisht kundër rrjedhës, dënoi ashpër Gorbaçovin për linjën e re që kishte futur dhe bllokoi çdo lloj tendence për ndryshim në Rumani.
Kur nisi që të ndërgjegjësohej se nuk do ta ndalonte dot rrjedhën e ngjarjeve?
Kur në vitin 1989 pa atë që ndodhi në Hungari, pra kryengritjen popullore hungareze dhe më pas edhe ato që ndodhën në Pragë. Por te ne ende nuk po ndodhte asgjë. Mua personalisht, një shpërthim nga ana e popullit që po vuante ditë të zeza, më dukej krejtësisht i mundur në ato muaj. Unë ndodhesha në Iasi, në një shtëpi botuese të vogël, në pritje të disa librave që duhet të na vinin nga qyteti i Timishoarës. Ata po vonoheshin dhe ne telefonuam më 17 dhjetor. "Po nuk e keni marrë ende vesh se çfarë po ndodh? Njerëzit kanë dalë në shesh. Qeveria është bërë fare e egër dhe ka qëlluar mbi njerëzit e thjeshtë", na u përgjigj njeriu në Timishoara. Por nuk mundi të fliste më shumë, sepse ra linja menjëherë. Ne u përgatitëm për më të keqen, por Çaushesku bëri një gabim fatal. Organizoi një tubim në Bukuresht, më 22 dhjetor. Shpresonte se do të mund të bënte sërish për vete turmën, si shumë vite më parë, por në vend të mbështetjes dhe brohoritjeve mori një shpërthim revolte të jashtëzakonshme. Kur e pa keq situatën u arratis me një helikopter dhe pas kësaj nisi rrugëtimi i përgjakshëm i njerëzve drejt lirisë. Mua më thirrën në Bukuresht. Ishte shumë e vështirë për të shkuar aty, sepse nuk kishte transport linje, megjithatë në mënyrë shumë aventureske arrita që të jem në kohën e duhur në kryeqytet. Aty mblodhëm Komitetin Qendror dhe unë u caktova që t‘i jepja mesazhin e parë të ndryshëm popullit përmes televizionit shtetëror. Ndërkohë kishte luftime dhe përleshje rrugë më rrugë e shesh më shesh. Pjesa më e madhe ishin të rinj, vajza dhe djem, një pjesë prej të cilëve u vranë me flamurin kombëtar në dorë.
Por ndërkohë ju e dinit se fitorja ishte me ju, atëherë përse vendosët që ta pushkatonit Çausheskun?
Kishin kaluar tri ditë përleshjesh, që ishin shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit. Ishte krijuar një situatë shumë kaotike dhe askush nuk e dinte se ndaj kujt dhe përse po hapej zjarr. Njerëzit e Çausheskut ishin ata që po krijonin anarki, ndërsa shteti po shpërbëhej. Duhet të jepnim një sinjal politik për të parandaluar një tragjedi më të madhe dhe për këtë shkak vendosëm që të organizonim një proces gjyqësor të jashtëzakonshëm. E pranoj që ishte një proces i improvizuar. Por është fakt se dy ditë pas ekzekutimit të çiftit Çaushesku, situata u qetësua. Nuk mund të vepronim ndryshe, ose në të kundërt tragjedia do të kishte qenë e përmasave të pallogaritshme dhe do të ishim futur në një luftë civile.
Më pas erdhën protestat e studentëve, që u shtypën nga ato të minatorëve proqeveritarë?
Kjo ishte dhe faza më e vështirë, pra ndërtimi i institucioneve demokratike, transformimi i ekonomisë nga ajo e planifikuar në një ekonomi të tregut të lirë. Na mungonte tërësisht përvoja. Revolta e të rinjve soli rrezikun e anarkisë. U hodh në erë pallati i Partisë Komuniste, televizioni. Po lindte një konflikt i ri social, sepse minatorët ishin vënë kundër të rinjve dhe intelektualëve. Ishte një situatë tragjike, por shteti nuk kishte mjete për të vendosur rend dhe rregull. Ajo që po ndodhte na krijoi një imazh shumë negativ në sytë e botës, veçanërisht ndaj Bashkimit Europian dhe NATO-s. Shumëkush më akuzoi se isha një komunist dhe se kisha mbetur i tillë, por unë e njihja veten për demokrat. Ajo që vlen sot është që më në fund i jemi rikthyer Europës dhe jemi një demokraci.
20 vjet më vonë, çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen nga Rumania e sotme?
Demokracia, fakti që dhuna dhe klima e shkatërrimit janë vetëm kujtime të së shkuarës. Por sigurisht që kemi ende shumë për të bërë kundër pabarazive, kundër nostalgjive të një të shkuare të dhunshme dhe të padrejtë, jo kundrejt Çausheskut, por kundrejt sistemit të së shkuarës. Demokracia duhet të mbajë anën e më të dobëtëve, të të varfërve dhe mbi të gjitha duhet një administratë publike më e ndershme. Nuk më pëlqen klima e krijuar pas zgjedhjeve presidenciale nga Presidenti Basesku. Si nuk është i hapur ndaj dialogut, sulmon shtetin e së drejtës dhe opozitën, Parlamentin, gjykatën dhe krijon një klimë tensioni. Shpresoj që përvoja e ditëve të vitit 1989 të jetë udhërrëfyes për mënyrën e të sjellurit, tani 20 vjet më pas