E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu i vendosur Do permbushim kushtet per huate

Kryeministri grek Jorgo Papandreu shprehet i vendosur të bëjë gjithçka që duhet për të përmbushur angazhimet e rëna dakord me huadhënësit ndërkombëtarë dhe për të shpëtuar vendin nga falimentimi por dhe për të vijuar qëndrimin në eurozonë.

"Kjo është një betejë e vështirë në mes të një stuhie ndërkombëtare. Prioriteti ynë i parë është një kurs i sigurt për të shpëtuar vendin nga falimentimi," deklaroi ai gjatë panairit të përvitshëm në Selanik.

"Ne kemi vendosur të nisim luftën për të shmangur një katastrofë, një falimentim katastrofik për vendin dhe popullin, për të qëndruar në euro, dhe kjo do të thotë vendime të vështira, sakrifica të vështira. Prioriteti ynë i parë është zbatimi i plotë i vendimeve të marra në korrik, jo vetëm sepse është angazhimi ynë ndaj partnerëve, por sepse është me interes kombëtar. Kjo përpjekje do të shkojë deri në fund. Ne do t'i përgjigjemi kësaj sfide historike, duke vazhduar me ndryshimet e mëdha për të cilat ky vend ka pasur nevojë për shumë vjet", deklaroi Jorgo Papandreu kryeministër i Greqisë.

E ndërsa shprehet i vendosur kryeministri, nuk zbrapsen as protestuesit në Greqi. Nën një pankartë gjigande ku shënohej “Nuk kemi asgjë, nuk paguajmë për asgjë, nuk shesim asgjë e nuk kemi frikë nga asgjë”, më shumë se 20.000 mijë protestues demonstruan jashtë ambienteve ku mbahej panairi, ku u regjistruan gjithashtu përleshje me forcat e rendit. Dhuna zgjati për disa orë ndërsa protestues të maskuar u vunë flakën kazanëve të hedhurinave dhe objekteve të tjera e rrëmbenin gurë nga trotuarët e dëmtuar për të qëlluar forcat e rendit. Gazi lotsjellës mbushi rrugët përreth panairit ndërsa forcat e rendit ndoqën rrugë më rrugë protestuesit e maskuar e të dhunshëm.

Në tubimet e organizuara nga sindikatat e punës, morrën pjesë nëpunës civilë, studentë, dhe shoferë taksie. Rreth 7.000 policisë ishin dislokuar në zonë për të garantuar sigurinë në panair ndërsa sivjet u evitua dhe ecja tradicionale e ministrave dhe kryeministrit që cdo vit mbahet në ditën e parë të aktivitetit. Dhuna coi në arrestimin e 106 personave bënë të ditur burime të policisë në Selanik ndërsa raportime për përplasje me policinë pati dhe nga Athina ku demostruesit tubuan para godinës së parlamentit.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›