E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu, interpelancë për djegien e flamurit grek ne Shqiperi

ATHINE- Partia e katërt më e madhe në Greqi, LAOS (Alarmi Ortodoks Popullor) ka kërkuar një interpelancë me kryeministrin Jorgos Papandreu, lidhur me çështjen e djegies së flamurit grek gjatë protestave të organizuara në Shqipëri kundër thirrjeve ksenofobe të ushtarëve grekë.

Kërkesa e firmosur nga një prej 12 deputetëve që LAOS ka në parlamentin grek, Johanis Corantis, kërkon sqarime nga Papandreu lidhur me qëndrimin që është mbajtur ndaj Tiranës zyrtare ndaj aktit të djegies së flamurit grek. Në letrën e tij, ligjvënësi i LAOS-it pretendon se tubimet e organizuara ndaj thirrjeve ksenofobe të ushtarëve grekë, në të cilat është djegur në shenjë proteste flamuri grek, janë nxitur nga dy deputetët e forcës politike që mbështet aspiratat e komunitetit çam, Partisë për Drejtësi dhe Unitet. Sipas Corantis, këta deputetë janë jo vetëm nxitës të frymës anti-greke në Shqipëri, por edhe të sulmeve ndaj kreut të organizatës së minoritetit etnik grek (OMONIA), Vasil Bollano.“Nderi i kombit”

Partia LAOS ishte e vetmja forcë politike në Greqi që u rreshtua në mbrojtje të ushtarëve, që në paradën e 25 marsit lëshuan thirrje ksenofobe ndaj fqinjëve shqiptarë, maqedonas e turq. Zëdhënësi i qeverisë greke, Jorgos Petaloti, në një deklaratë për mediat fill pas skandalit të ushtarëve grekë, tha se reagimet në Shqipëri ndaj kësaj ngjarjeje ishin normale dhe jo të ekzagjeruara. Por, ai shtoi se veprimet si djegia e flamurit grek janë të papranueshme.
(GSH/Tedi Blushi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›