Papandreu kërkon kurs të ashpër kursimesh në Greqi
ATHINE- Kryeministri i Greqisë Giorgios Papandreu ka premtuar se qeveria e tij do të jetë e vendosur në përpjekjet për rregullimin e problemeve me buxhetin. Rregullimi i financave është një "obligim kombëtar", deklaroi Papandreou para deputetëve në parlamentin e Athinës. Ai i kërkoi të gjitha partive politike që të mbështesin kursin e kursimeve. Gjendja kritike e buxhetit të Greqisë do të jetë një prej temave që do të prek edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në takimet e tija me krerët e Greqisë që në Athinë fillojnë këtë të martë në mbrëmje. Borxhet e reja të Greqisë janë rritur vitin e kaluar në 12,7 për qind të prodhimit bruto. Për shkak të shkeljes së rregullave financiare të stabilitetit të euros, Greqia është nën mbikqyrje të shtuar të BE-së. Greqia ka paraqitur për vite të tëra bilance negative në Bruksel. (s.g/dwelle/BalkanWeb)