Vasili: Rama nuk më dha as dorën
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se veprimet ekstreme duhen kërkuar pikërisht te kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Në një konferencë për shtyp, i pyetur mbi deklaratat e Kryeministrit Berisha, në seancën e të enjtes në Parlament, Vasili tha se “Gjuhën e përdorur ndaj liderit të opozitës?!. Nuk di në ç’mënyrë tjetër mund të komunikohet me këtë lider opozite. Se për fat të keq, ky është një lider predikues i gjesteve të mira. Jo më larg sesa sot, nuk mungoi ta deklaronte këtë gjë me rastin e festave fetare, por njëkohësisht është dhe njeri i gjesteve të drunjta dhe të pagdhendura”. “Unë zhvillova një vizitë sot në kryegjyshatë dhe ky njeri edhe në një ditë të tillë refuzon të të takojë, të të japë dhe dorën. Mendoj se duhen kërkuar tek Edi Rama të gjitha veprimet ekstremiste, njëkohësisht anakronike, por edhe të egra. Kështu që mendoj se Zoti Berisha nuk ka bërë asgjë më shumë sesa ka përdorur gjuhën me të cilën duhet komunikuar me Edi Ramën”, theksoi sekretari i përgjithshëm i LSI-së. Kjo forcë politike përshëndeti dje rezolutën e Parlamentit Evropian për Shqipërinë. “Kjo Rezolutë, e cila për informim të opinionit publik u miratua me mbi 80 e ca për qind të votave të parlamentareve evropiane, vuri në duke në mënyrë të prerë dhe të qartë pa asnjë lloj ekuivoku kërkesën e tyre të prerë për rikthimin e opozitës në Parlament. Në Rezolutë evidentohet qartë se vendi i vetëm ku mund të dialogohet në mënyrë të qartë, institucionale dhe të drejtpërdrejtë, është vetëm Parlamenti Shqiptar”.