Papandreu, një shans për Ilir MetënNga Mero BazeKryeministri i ri i Greqisë, Jorgo Papandreu, i cili fitoi bindshëm në zgjedhjet e së dielës, mund të jetë shansi për të rritur rëndësinë politike të Ilir Metës në kabinetin Berisha. Një kundërshtar pub
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Papandreu, një shans për Ilir MetënNga Mero BazeKryeministri i ri i Greqisë, Jorgo Papandreu, i cili fitoi bindshëm në zgjedhjet e së dielës, mund të jetë shansi për të rritur rëndësinë politike të Ilir Metës në kabinetin Berisha. Një kundërshtar publik i Berishës, dhe ndoshta politikani evropian që është shprehur më egër kundër një politikani të një vendi tjetër, Papandreu e ka të vështirë të tejkalojë thirrjen e tij zyrtare në mes të Tiranës dhjetë vjet më parë për izolimin e Sali Berishës. Tashmë shumë gjëra kanë ndryshuar, përfshi dhe ata që i kanë rekomanduar Papandreut këtë deklaratë, por sidoqoftë akulli ende nuk është shkrirë. Ky mund të jetë një shans për ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, të fitojë një rëndësi të re në kabinetin Berisha, duke marrë monopolin e raporteve me Greqinë, edhe për shkak të lidhjeve të vjetra që ka pasur si lider i së majtës me Papandreun.
Edhe pse deklarata e zotit Papandreu ka qenë police dhe e nxitur më shumë nga Tirana zyrtare e asaj kohe sesa nga politika zyrtare e Athinës, ajo sërish mbetet deklarata më e rëndë police që një lider evropian mund të bëjë kundër një politikani të një vendi fqinj, ndaj të cilit nuk ka një proces ligjor penalizues apo izolim ndërkombëtar. Papandreu, i cili e bëri deklaratën e tij në hotel “Rogner” në Tiranë, ishte natyrisht i frymëzuar nga këshillat e liderëve socialistë të Tiranës, në atë kohë Nano dhe Meta, të cilët e shihnin izolimin e Berishës si një mënyrë që mund të ndalte protestat e tij të përditshme në rrugë.
Por tashmë kjo deklaratë do të ketë një kosto për marrëdhëniet e reja zyrtare mes Tiranës dhe Athinës, të cilat realisht janë më të mirat që ka pasur ndonjëherë mes dy vendeve. Nën kompleksin e inferioritetit ndaj Greqisë dhe pësimit politik prej saj, Berisha ka bërë për Greqinë më shumë se çdo lider tjetër socialist në Shqipëri, të cilët janë mbajtur si më “pro-grekë”. Ai u fali atyre një hapësirë të diskutueshme ujore, legalizoi pa nevojë dhjetëra varreza të ushtarëve grekë, që vizatojnë një vijë mitike nacionaliste të grekëve për Epirin e Veriut dhe po përpiqet të kontrollojë pakicën greke politikisht. Sigla e partisë së Berishës për herë të parë është votuar në Dropull në këto zgjedhje dhe kjo falë kandidatit të minoritetit, Spiro Ksera. Raportet personale të Berishës me Karamanlisin u thelluan dhe në aspektin diplomatik. Karamanlisi ishte i pari dhe mbeti i vetmi lider evropian që vizitoi Berishën në fushatë elektorale, dhe i dha mbështetje një veprimi thuajse NUL të Berishës për të dorëzuar aplikimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ndërkohë që atë javë BE deklaroi se përjashtonte Shqipërinë nga liberalizimi i vizave.
Pra, nëse Jorgo Papandreu do ta shikojë Berishën si politikan luajal, ai duhet të vijë dhe t’i hedhë duart në qafë në Tiranë, se askush më shumë se Berisha nuk ka bërë për të plotësuar çdo tekë të politikës greke, shpesh dhe arkaike, në Shqipëri. Por mes tyre mbetet e fortë hija e mosbesimit politik dhe përdorimi i Papandreut prej ish-liderëve socialistë kundër Berishës. Ndaj dhe porta për të hyrë sërish mbeten ata që e kanë armiqësuar me Berishën, Nano dhe Meta, tashmë aleatë të Berishës.
Edhe pse nuk e ka preokupim kryesor, Papandreut do t’i duhet të bëjë një gjest të shkrirjes së akujve me Berishën, dhe kjo duket se po e bën më të rëndësishëm ministrin e Jashtëm të Berishës, i cili tashmë ka rastin ta rikëshillojë Papandreun se si të tërheqë atë që ka thënë për Berishën dikur. Dhe qeveria e Tiranës është shembulli që askush nuk turpërohet nga e kaluara e vet. Nuk dimë sa vlen kjo dhe për Athinën.