E Diel, 1 Nëntor 2026

Rektori i Vlorës dhe aleanca e mediokërveNga Fitim ZekthiMediokrit gjithherë kanë jetuar në një aleancë të thellë mes tyre, pavarësisht mungesës së respektit ndaj njëri-tjetrit. Është tipar i karakterit, dhe në çastin më të parë që shfaqet dikush që

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rektori i Vlorës dhe aleanca e mediokërveNga Fitim Zekthi

Mediokrit gjithherë kanë jetuar në një aleancë të thellë mes tyre, pavarësisht mungesës së respektit ndaj njëri-tjetrit. Është tipar i karakterit, dhe në çastin më të parë që shfaqet dikush që mendon më lart, më me kthjelltësi, apo bën diçka më të çmuar, atëherë ndaj tij nisin sulmet. Shkencat sociale kanë shpjeguar shumëçka mbi këto sjellje, duke dhënë edhe shkaqet. Universiteti i Vlorës është shndërruar këto ditë në një prej dëshmive më të qashtërta të këtyre të këtyre gjakimeve. Një grup prej 800 të rinjsh kanë fituar të drejtën të nisin studimet në këtë universitet, por ata nuk janë lejuar të regjistrohen nga autoritetet e universitetit për shkak të notës së tyre mesatare të shkollës së mesme. Që të gjithë këta të rinj kanë notë mesatare poshtë gjashtës. Ministria e Arsimit ka urdhëruar regjistrimin e tyre dhe shumë zëra të opinionit kanë kërkuar këtë gjë, deri edhe shkarkimin e rektorit. Universitetet e tjera publike nuk kanë bërë asnjë dallim dhe kanë regjistruar gjithkënd, pavarësisht mesatares. Arsimi në Shqipëri, sidomos ai i lartë, po kalon një periudhë të thellë errësimi ndoshta edhe akulturimi. Të rinjtë që duan të studiojnë në universitetin e Vlorës, duke pasur një mesatare poshtë notës gjashtë, kanë praktikisht notën pesë në matematikë dhe fizikë, e duke pasur fizkulturën tetë apo nëntë, mesatarja është gjashtë. Kjo është e qartë. Gjithkush e di se në rast se mbaron shkollën e mesme me notën pesë në matematikë dhe fizikë, nuk di t’i mbledhësh dhe zbresësh numrat racionalë, ku thyesat janë më e pakta. Nuk është asfare çështja të flasësh me mosrespekt për këta të rinj, por është çështja të flasësh me respekt për universitetin. Rektori Tanush Shaska, nga pikëpamja e të drejtës formale, duhet t’i regjistrojë ata, sepse të tjerët si ata, por edhe me nota nga 4,6 në 5,1, janë regjistruar në universitete publike (privatët nuk i shohin fare këto gjëra). Gjithashtu këto kritere të vëna nga rektori Tanush Shaska nuk janë bërë të qarta para se aplikimet për shkollë të nisnin. Përpos këtyre, shoqëria shqiptare duhet të shohë me admirim këtë rektor për arsye se ai po rreket ta shohë universitetin, jo në bazë të kësaj të drejte formale që buron nga qeveria apo legjislacioni (kjo ka diskutime), por nga ajo çfarë duhet të jetë një universitet. Një universitet kultivon respektin për përpjekjen, për të thellën. Një universitet vlerëson kërkimin, këmbënguljen dhe nënçmon mediokren, të cekëtën, të sipërfaqshmen. Një universitet përgatit burra dhe gra të lirë, me kurajë, për të mbrojtur idetë që nuk janë të tyret, që kanë ide të vetat dhe që nuk reshtin së punuari që këto t’i vlejnë atyre dhe shoqërisë. Është e kuptueshme se universiteti i Vlorës nuk ka mundësi, asnjë klasë në të nuk mundet të nisë këtë rrugëtim kur njerëz, që mund të bëjnë shumë mirë të tjera gjëra, futen në këtë rrugë që nuk është më e drejta për ta. Të tjerë që e meritojnë më shumë këtë rrugë, do të vuajnë peshën e tyre në leksione dhe seminare. Shqipëria ka shumë universitete publike, dhe nëse sheh në internet shkurt punët e tyre shkencore, apo sa janë të referueshëm rektorët e tyre, kupton disa prej arsyeve të sulmit ndaj rektorit të Vlorës. Është saktësisht aleanca e mediokërve. Për rektorët e Gjirokastrës, Elbasanit, Korçës, Shkodrës dhe Durrësit thuajse nuk ka asgjë veç lajmit të publikuar në gazeta në kohën kur ata janë zgjedhur rektorë. Një shqetësim i madh, por ky është vendi ynë me pak mundësi. Një mjerim i madh është fakti që përpjekja për të ndryshuar është e paqenë. Rektori i Universitetit të Vlorës është një matematikan elegant, i njohur si një matematikan amerikan nga revista të ndryshme shkencore. Në internet gjen dhjetëra punime të tij për harqet dhe sjelljet e tyre në prizëm të gjeometrisë analitike. Ai është ndër të paktët shqiptarë që ka dhënë mësim në universitetet amerikane. Duhet thënë më së pari se këto detaje të formimit të tij nuk e imunizojnë nga gabimet, ai është aq i prekshëm sa edhe të tjerët, por problemi është se të tjerët duke qenë pa asgjë në këtë drejtim, janë shumë thjesht të gatshëm për aleancën e mediokërve. Universitetet private qartësisht janë në këtë aleancë. Shqipëria është ndoshta i vemi vend në botë që ka ligjërues universiteti që nuk mund të japin dot mësim në shkollë 9 vjeçare. Të gjithë e dinë këtë.

Tërë kjo gjendje, e cila në këta shembuj nuk është asgjë në këtë vend, nuk është në diskutim. Rektori i Vlorës sadopak nisi të çojë në këtë drejtim diçka. Nuk është çështja për t’i mohuar dikujt të drejtën për arsim, por për të ndërtuar universitet. Vitin e kaluar në Angli kishte një debat për atë që duhet të promovojë një universitet veç shumë të tjerash, që deri më tani e kanë bërë. Duhet të promovojë drejtësi shoqërore, tha kancelari i universitetit Kembrixh, dhe për këtë do të qëmtojmë të rinjtë e talentuar gjithkund, që nuk kanë mundësi financiare dhe t’i sjellim në shkollë. Të rinj me mundësi financiare, por të patalentuar, nuk do të kenë më vend. Kryeministri Braun e shoqëroi këtë me një fond bursash. Këtu bëhet e kundërta, sponsorizohen këngëtarë apo balerina me bursa, dhe jo të rinj që nuk kanë mundësi, por ky është debat tjetër. Qeveria në Shqipëri ka ndërthurur qasjen e djathtë që mëton të mbrojë me masivizmin. Dikur një këshilltar i presidentit Regan tha se qeveria ka për detyrë vetëm t’i çojë njerëzit në shkollë sa të mësojnë të shkruajnë e të mbledhin. Qeveria shqiptare kërkon t’i bëjë të gjithë mastera. Nuk do ishte keq, përkundrazi e shkëlqyer, por jo në këtë mënyrë dhe jo kështu. Regani duhet të ketë qenë gabim, të paktën për një vend si ne. Është mirë që ky vend të dëshmojë se aleanca e mediokërve është e rëndësishme dhe i duhet shoqërisë, por jo sa të rrënojë universitetin dhe atë që do ngjasë nesër në këtë vend. Më pak mizori ndaj rektorit të Vlorës do ishte qytetari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›