E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josipoviç: Tadiç irracional, çështja e Kosovës s’kthehet



Presidenti i ri kroat, Ivo Josipoviç e ka gjykuar irracional vendimin e Presidentit serb, Boris Tadiç për të bojkotuar ceremoninë e tij të inaugurimit, vetëm sepse ishte i pranishëm Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Gjatë një intervistë për "Jutarnji list", Josipoviç tha se "Mendoj se edhe opinioni serb, edhe politikanët serbë e kanë të qartë se unë përfaqësoj një politikë paqësore, një politikë të bashkëpunimit dhe të zgjidhjes së problemeve. Arsyen e mospjesëmarrjes së Tadiçit në inaugurim, e konsideroj tërësisht irracionale. Sepse çështja e marrëdhënieve të Serbisë dhe Kosovës në tërësi është jashtë politikës kroate. Ne as nuk mundemi, e as nuk dëshirojmë të ndikojmë në raportet serbo-kosovare. Ne e kemi treguar qëndrimin tonë ndaj Kosovës me njohjen e pavarësisë së saj dhe nga kjo nuk zmbrapsemi", tha Presidenti kroat. Josipoviç shtoi se në marrëdhëniet e vendit të tij me Serbinë, pikat e diskutueshme janë ato të kufirit dhe problemet e lidhura me luftën dhe pasluftën, ndërsa për sa i përket çështjes së Kosovës, vendi i tij e ka treguar qëndrimin e vet kur e ka pranuar pavarësinë. Pas bojkotit të ceremonisë së inaugurimit, Presidenti serb, Boris Tadiç pritet të zhvillojë një takim me Presidenti e ri kroat. Tadiç ishte Presidenti i vetëm nga rajoni i cili nuk mori pjesë në inaugurimin e Josipoviçit si Presidenti i Kroacisë. Sipas një zyrtari të partisë së Tadiçit, Partia Demokratike, Dragoljub Miçunoviç, Tadiç dhe Josipoviç mund të takohen muajin e ardhshëm. Megjithatë Ministria e Jashtme serbe nuk e ka konfirmuar planifikimin e ndonjë takimi. "Ne kemi shumë çështje të pazgjidhura të cilat nuk duhet të shtyhen, si kthimi i refugjatëve, ndërtimi i infrastrukturës në vendet ku ata duhet të kthehen, çështja e pazgjidhur e kufijve, çështja pronave të konfiskuara dhe një pjesë shumë e rëndësishme e bisedimeve tona duhet të jetë përmirësimi i rrethanave të minoritet kroat në Serbi", ka cituar Ministrinë agjencia B92. Njohja e Kosovës nga Kroacia e ka tensionuar shumë marrëdhënien mes këtyre dy vendeve gjatë dy viteve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›