E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu pesimist

Nga Express më 26 janar 2011 në ora 12:19

Kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu në fjalimin e mbrëmshëm para parlamentit grek në Athinë deklaroi se nuk ishte optimist për zgjidhjen e shpejtë të mosmarrëveshjeve për emrin e Maqedonisë.

"Nuk jam optimist për këtë çështje. Pala përballë nesh refuzon të pranojë emër me përcaktim gjeografik për përdorim të përgjithshëm. Qëndrimet dhe iniciativat greke për këtë çështje janë të përhershme. Nuk do të ndalemi me përpjekjet për gjetje të përbashkët të pranueshme. Kemi strategji kombëtare të përcaktuar qartë", deklaroi Papandreu para deputetëve duke folur për prioritetet e politikës së jashtme të Greqisë.

Në anën tjetër, ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë, Dimitris Drucas dhe Antonio Miloshoski të premten pritet të takohen në Budvë, për të diskutuar për kontestin e emrit.

Takimi do të zhvillohet para atij në New York midis palëve negociatore greke dhe maqedonase, me ndërmjetësimin e ndërmjetësuesit të OKB-së, Mathew Nimitz.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë nuk ka zbuluar detaje lidhur me agjendën e këtij takimi, mirëpo është bërë me dije se nismëtarë për realizimin e tij është ministri Miloshoski.

Dyja palët pritet të dëgjojnë qëndrimet rreth emrit dhe mundësitë për lëshimet që të dyja palët janë të gatshme për ti bërë, me qëllim të afrimit të pozicioneve.

Takimi zhvillohet në margjinat e konferencës joformale të shefave të diplomacive të vendeve të Evropës Juglindore të organizuar nga Mali i Zi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›