Bode në Korçë: Rama kërkon destabilizimin e vendit
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, njëherësh dhe ministër i Financave, Ridvan Bode, që nga Kuvendi i demokratëve të Korçës e cilësoi dje kreun socialist, Edi Rama, si njeriun që kërkon me çdo kusht destabilizimin e vendit, përmes qëndrimeve që ai i quajti antikushtetuese dhe në dëm të interesave të popullit. Duke folur në Kuvendin e Partisë Demokratike në Korçë, funksionari i lartë demokrat hodhi akuza të forta në drejtim të Ramës, duke theksuar se kryesocialisti “është kamikaz i kolltukut të vet dhe strehë e fundit e mafies”. “Ai synon të destabilizojë vendin dhe mosheqjen e vizave për shqiptarët. Kryetari i PS-së po punon kundër interesave kombëtare, por nuk do të mundet ta realizojë këtë, pasi shqiptarët do të lëvizin lirisht në zonën “Shengen” do apo nuk do z. Rama”, - deklaroi ministri Bode. Referuar paralajmërimeve të opozitës për përshkallëzim të aksionit politik në rast të mos-hapjes së kutive të 28 qershorit, Bode nënvizoi se ultimatumet nuk do të pengojnë qeverinë të ecë përpara në rrugën e reformave që do ta çojnë vendin drejt Bashkimit Evropian. Ndërkaq, sipas ministrit të Financave, zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mirat që vendi ka realizuar ndonjëherë.