E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvritet ushtari, pronari i një zdrukthëtarie gjendet i varur

 

ELBASAN/ DURRES – Dy të rinj i dhanë fund jetës në rrethana enigmatike. Njëri prej tyre, ushtar në repartin e Krastës në Elbasan, ndërsa tjetri pronar i një zdrukthëtarie. Eglantin Mehmeti, 21 vjeç nga Cërriku, qëlloi veten me armën e shërbimit mbrëmjen e së hënës. Krismat e armës kanë alarmuar ushtarët e drejtuesit e repartit, të cilët kanë shpejtuar të shkojnë në vendroje. Ata e kanë gjetur të riun në momentet e fundit të jetës dhe janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë, duke e nisur atë me urgjencë drejt spitalit kirurgjik të Elbasanit. Por gjatë rrugës 21-vjeçari, që do të përfundonte shërbimin e detyrueshëm ushtarak vetëm 2 muaj më vonë, ka ndërruar jetë. Grupi hetimor ka arritur në përfundimin se bëhet fjalë për vetëvrasje në kushtet e depresionit. Por, motivet nuk dihen ende, pasi shokët e tij pohuan se nuk kishte pasur shqetësime ditët e fundit. Në Durrës, vetëvrasja e Leonard Mollës, 27 vjeç, ndodhi paraditen e djeshme. I riu, i martuar e me 1 fëmijë, u gjet i varur në ambientet e zdrukthëtarisë ku punonte bashkë me të atin. Ai u transportua menjëherë drejt spitalit të Durrësit, por nuk kishte shenja jete.                     a.k/o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›