Arrestohet vrasësi i liruar gabimisht
Etleva Delia
Arrestohet në shtëpinë e motrës, i shumëkërkuari i dënuar me 15 vjet burg për vrasje. Eduart Çuni, 27 vjeç, ra dje në prangat e policisë pas aksionit të oficerëve të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit të Tiranës, kryer në qytetin e Mamurrasit. Sipas policisë, i kërkuari është dënuar me 15 vjet burg në vitin 2005 nga Gjykata e Tiranës, për një vrasje që ka ndodhur nëntë vite më parë, në vitin 2000. Ai akuzohet se në bashkëpunim me Besnik Lamçen, i dënuar në mungesë me 25 vjet burg, kanë vrarë Gentian Ukën. Në një kohë kur gjykata ende nuk kishte dhënë vendimin për vrasjen e Ukës në vitin 2000, Eduart Çuni ndodhej në Burgun 325, ku vuante dënimin për vjedhjen e makinës së Florenc Fejzullait. Gjatë kësaj kohe, prokuroria ende nuk kishte siguruar prova për implikimin e Çunit në vrasje dhe gabimisht është firmosur lirimi nga burgu për të arrestuarin e djeshëm. Në këtë mënyrë, ai përfitoi lirinë dhe pasi u siguruan provat, të cilat u gjetën pikërisht në makinën që ai kishte vjedhur, ishte tepër vonë, pasi 27-vjeçari kishte arritur të arratisej. Për këtë shkak, ai u shpall në kërkim ndërsa policia u vu në ndjekje të tij.
ARRESTIMI
Në bazë të informacioneve nga policia e Mamurrasit, si dhe hetimeve operative të Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Tiranë, dje agjentët kanë rënë në gjurmët e të shumëkërkuarit për vrasje. Policia arriti të arrestonte brenda në shtëpinë e motrës së tij, të dënuarin me 15 vjet burg për vrasje në bashkëpunim, i cili në vitin 2004 ishte liruar gabimisht nga burgu, ku qëndronte për vjedhjen e një makine. Eduart Çuni, është dënuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës, më 25 tetor të vitit 2005, bashkë me mikun e tij Besnik Lamçe, për vrasjen e Gentian Ukës, ngjarje e ndodhur në vitin 2000 në kryeqytet.
NGJARJA
Vrasja për të cilën akuzohet Eduart Çuni ka ndodhur rreth 9 vite më parë në Tiranë. Sipas policisë, i dënuari bashkë me Besnik Lamçen e kanë vrarë Gentian Ukën vetëm për një pistoletë. Viktima kishte mbajtur për një kohë të gjatë pistoletën e Lamçes, të cilit nuk ia kthente. Ky i fundit ka shkuar për t’ia marrë bashkë me mikun e tij Eduart Çuni dhe pas një debati që kanë pasur me të, e kanë vrarë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe gjurmët e gishtave të të pandehurit Eduard Çuni. Në atë kohë, ai ishte i dënuar për vjedhjen e një makine, ku pasi u bë këqyrja e saj, u gjetën edhe provat për implikimin e tij në vrasje. Por në kohën kur prokuroria po përgatiste dosjen në ngarkim të tij dhe pritej që ai të thirrej nga qelia për të dëshmuar në gjyq, rezultoi se Çuni ishte larguar nga burgu, pasi gabimisht kishte fituar lirinë. Dikush kishte firmosur urdhrin për lirimin e tij nga burgu edhe pse ai po gjykohej për një çështje tjetër, për vrasjen e Gentian Ukës. Fillimisht u dënua me 25 vjet në mungesë Besnik Lamçe, e më pas gjykata dha vendimin në një proces të ndarë nga i pari, për Eduart Çunin, i cili u dënua me 15 vjet burg.