Një shkrimtar nuk është një revolucionar, por një idealist
Kadare kohen e të mësuarit e ka lënë pas vetë. Qysh moti. Ai kishte nisur të japë mësime në atë copë liri, qysh herët. Nuk mund të kërkohet prej tij, atë që shumë kritikë të tij i kërkojnë. Kadare ka gërvishtur shekullin me vija të trasha dhe ka parapërgatitur gropën e diktaturës. Një shkrimtar nuk është një revolucionar, por një idealist. Në veprën e tij ai ka stigmatizuar diktaturën. Dhe e ka bërë të paharrueshme barbarinë e saj.
Unë jam habitur në Prishtinë ku pata lexuar “Pallatin e Ëndrrave”. Ai libër në mënyrë palaktive përshkruan jetën e komunizmit, sigurimit e politikes aventuriste dhe eksperimentale në Shqiperi. Ta kesh një Kadare në komb është nder. Të mos kesh një Kadare është varfëri shpirtërore dhe substanciale. Shekuj me vonë njerëzit nuk do të merren as me mua e as me ty, do të mbijetojnë ata që nënshkruan shekullin dhe e vizatuan atë në mënyrën më të përkryer që diten.
Kadare është kujtesa e Kombit dhe ia njeh kombit të ligat dhe të mirat. Vepra e tij i dedikohet Shqiptarisë. Kadarenë mund ta urrejë dikush, por atij vlera nuk i bie. Dikush mund ta urrejë diellin, por ai do të lindë përsëri. Dikush shiun, por ai do të kthehet.
Ne jemi pjese e turmës dhe do të na bartë shiu i statistikave, se kaq ishin këtë apo atë shekull.Skeleti i një kombi janë njerëzit si Kadare. Zoti e bekoftë atë dhe familjen e tij!