E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci “tjetër”…

• Martin Leka-"Hë xhan, si je"?... -"A të ka marrë malli"?... -"Për kë të ka marrë malli më shumë, për mamin a babin"?...…Dhe fëmija i shtruar në spital nga plagët e shpërthimit të municioneve në Gërdec shpërthen në vaj… E kush nuk do të përlotej në një rast të tillë?!... Jo fëmijë të jesh, po veç mish mjafton të kesh dhe sytë do të të përloten nëse ke disa ditë pa i parë prindërit. Këto janë pyetje të një gazetar-i-(eje), parë dy ditë më parë në një televizion lokal. Do të vazhdoja me plot "mutacione" të tjera gazetarie si këto, (që s'thonë asgjë), por nuk po e zgjas se nuk ia vlen. Nuk ia vlen jo se edhe çaste të tilla nuk janë njerëzore, por nuk ia vlen për t'i përmendur pikërisht për atë që thashë pak më parë: se nuk thonë asgjë! A, po! Kur ke hedhur tutje cinizmin dhe brenda gazetarit dhe ngjarjes është shkrirë njerëzorja dhe misioni, kur emocionet e papërballueshme vijnë në mënyrë spontane, nuk i kërkon, atëherë edhe një e qarë apo një lot ka lezet, është "i bukur dhe i mirë". Po përmend dy raste. Kam parë të qajnë në ekran këto ditë Sonila Meçon, gazetaren e njohur të Vizion+ pas një kronike tronditëse dhe prezantuesen Alketa Vejsiu në TV-Klan po pas një kronike tepër emocionale. Si njëra dhe tjetra, shprehën atë lidhje organike mes gazetarisë dhe njerëzores gjer në pakufinj, por duke i menaxhuar këto emocione me një dinjitet lakmitar, për të shprehur pikërisht edhe atë që ne, gazetarët, kemi për detyrë: misionin dhe jo emocionin!I përmenda shembujt e mësipërm për të paralelizuar në përgjithësi dy lloj qëndrimesh lidhur me tragjedinë e Gërdecit. E para ka të bëjë me informimin tendencioz dhe shpesh deri në manipulator (këtu gazetaria bëhet "profesionalisht" si muhabet kafenesh); dhe e dyta ka të bëjë me informimin korrekt (gazetaria profesionale). Nuk kërkon shumë "profesionalizëm" për t'i dalluar këto dy anë të medias, mjafton të shohësh televizionet apo të lexosh gazetat. Që tragjedia e Gërdecit është një krim me fajtorë në qeveri e institucione të tjera, gjer edhe individuale, kjo tashmë është e vërtetuar. Do të mjaftonte vetëm fakti se kjo soj fabrike nuk e kishte vendin në Gërdec për të treguar me gisht si fajtor qeverinë. Por, të mundohesh ta "vërtetosh" këtë me cinizëm, me emocione të pakontrolluara, duke na nxjerrë çdo orë një fëmijë fatkeq me dorë të fashuar nga plagët që qan se e ka marrë malli për prindërit (pas pyetjes së gazetarit, kjo nuk është etike, madje e patolerueshme. Kjo tregon se edhe mes nesh, gazetarëve, ka nga pak "Gërdec" që vjen më shumë nga autocensura. A nuk duken disa syresh si ata fëmijët që punonin në çmontimin e armatimeve nga halli, për bukën e gojës?!...***Si shumë të tjerë, shkova dje në Vorë për të parë "historinë" e javës, Gërdecin. Rrugës së autostradës që të çon atje, janë dëmtuar edhe dhjetëra biznese nga vala e madhe e shpërthimit. Shumë syresh kanë bërë gati preventivat e dëmeve për t'i dorëzuar në qeveri për dëmshpërblim. Eshtë normale, është një e drejtë. Por ka edhe disa që nuk janë lodhur fare për ta bërë një gjë të tillë. Arian Musa është njëri prej tyre. I ka riparuar vetë të gjitha dëmet e shkaktuara. "Le të jetë ndihma ime për të dëmtuarit e tragjedisë", thotë ai, duke e quajtur këtë gati-gati si një detyrim. Në fakt, ky rast e të tjerë, si ai i Niko Shimanit diku më larg, tregojnë pikërisht "anën tjetër" të Gërdecit: qytetarinë, solidaritetin, forcën dhe shpresën për të ardhmen.***…Mund të gjeja një fëmijë nga Gërdeci e t'i bëja ca pyetje. Mund të gjeja edhe një grua apo vajzë apo një plak. Ju siguroj se do ju bëja të qanit të gjithë. Por nuk duhet.…"Qaramanët" kanë për shpresë vuajtjen, fatalitetin...!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›