Papulias: Maqedoninë do ta vizitoj pasi të zgjidhet emri

Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias do të vizitojë Maqedoninë, por pasi të zgjidhet çështja e emrit.
Këtë ai ia shkruan presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në përgjigjen e ftesës së tij për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.
"E pranova dhe me interes e lexova letrën Tuaj. Greqia fuqishëm i përkrah marrëdhëniet miqësore dhe të mira me të gjithë vendet fqinje, kuptohet, duke e përfshirë edhe Tuajin. Do të dëshiroja ta vizitoj Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, me rast pa ekzistuar pengesa e çështjes së pazgjidhur për emrin", njofton Papulias.
Ai thotë se nuk do të dëshironte të sugjeronte çka do të ishte në interes për Maqedoninë, por fuqishëm beson se nevojitet gjendja të vlerësohet realisht.
"Zgjidhja për çështjen e emrit do të tregohet dobishëm për aspiratat legjitime të popullit Tuaj. Më duhet të them se sa më gjatë zgjat kërkimi i zgjidhjes për emrin, aq më gjatë do të mbetet e pazgjidhur hyrja e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në BE dhe NATO. Shpresoj se do të kem mundësi t'Ju vizitoj pasi të kalon mosmarrëveshjet mes nesh", thekson Papulias në letër.
Presidenti i Maqedonisë më 4 nëntor dërgoi ftesë deri te presidenti grek që ta vizitojë Republikën e Maqedonisë, me qëllim që, siç njoftoi, të jepet impuls i fortë për përforcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore