Shtypi britanik kritikon Mancinin në ditën e parë
LONDER- Nuk kanë nisur në mënyrën më të mirë raportet e Roberto Mançinit me shtypin britanik, teksa që në ditën e parë trajneri italian është kritikuar. Një fjali e tij se është takuar në fillim të dhjetorit me drejtuesit e Mançester Sitit është konsideruar gafë nga disa prej gazetave kryesore në vend. Për këtë është dashur ndërhyrja e administratorit Geri Kuk që të sqarojë situatën dhe se palët ishin takuar javën e shkuar, pas humbjes së Sitit ndaj Totenhemit. Përpos kësaj, mediat në Angli presin të shohin nëse Mançini do të jetë i suksesshëm sa trajnerët e tjerë italianë që drejtojnë në këtë vend, Ançeloti, Kapelo apo Xola. Ish-tekniku i Interit ndërkohë ka bërë edhe një listë për merkaton e janarit, në krye të së cilës qëndron fantazisti i Sampdorias Antonio Kasano. Mançini ka ndërmend të mbajë gjithashtu në skuadër brazilianin Robinjo.(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)