E Diel, 1 Nëntor 2026

Muhedini: Dule një racist i vonuar e një antiçam i tërbuar

TIRANE-Partia për Drejtësi dhe Integrim (PDI), Tahir Muhedini reagoi sot pas deklaratave te kreut të Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) Vangjel Dule për cështjen Came. Kreu i PDI i cilësoi në një deklaratë për shtyp, pretendimet e Dules si të frymëzuara nga qarqe anti-shqiptare. “Komuniteti çam i organizuar në Partinë për Drejtësi dhe Integrim, por edhe i gjithë opinioni shqiptar ka ndjekur me indinjat prononcimet e Vangjel Dules, Kryetarit të PBDNJ në Kongresin e Jashtëzakonshëm. Fyerjet dhe perifrazimet antishqiptare si të ishte një pasardhës i andartëve të Zervës, janë pjesë e skenarëve që frymëzohen nga qarqe shoviniste që nuk dëshirojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por kërkojnë rizgjimin e fantazive nacionaliste filogreke në dëm të interesave të fqinjësisë”, u shpreh Muhedini. PDI e ka etiketuar Dulen si një politikan informal që gjithnjë e ka menduar veten si pjesë e mazhorancave qeverisëse. “Humbja e tij dhe e koalicionit të majtë duket se e ka tronditur shumë Dulen dhe pasuesit e tij përfitues në kurriz të interesave kombëtare shqiptare”. Më pas, Muhedini vlerësoi se PDI i qëndron gjithnjë besnik interesave të çështjes kombëtare dhe asaj çame në veçanti. “Këto cështje në tërësinë e tyre shërbejnë në integrimin e shqiptarëve në Europën e zhvilluar, pa paragjykimet heretike të një pinjolli që e sheh veten si pasues i interesave të fanaristëve të Athinës”. Deklaratat e Dules, PDI i konsideron ato, si provokacioni i rradhës për të hedhur baltë mbi mbarë komunitetin çam në Shqipëri. “Me këto veprime të njëpasnjëshme të kryetarit të PBDNJ na imponon ne, përfaqësuesve të popullatës çame ta demaskojmë botërisht dhe ta cilësojmë këtë renegat që frymëzohet nga skutat më të errta greko-shqiptare si një racist i vonuar dhe një antiçam i tërbuar e kronik dhe fyes i të drejtave të njeriut”. Sipas Muhedinit është gjithashtu në nderin e minoritetit Cam që të distancohet njëherë e përgjithmonë nga këto pozicionime raciste. PDI është partia e dytë e komunitetit Cam qe reagon pas deklaratave te Dules. Më pare nje reagim i ashper kishte ardhur dhe nga kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, (PDU) Shpetim Idrizi. Në 19 Dhjetor gjatë Kongresit të Jashtëzakonshëm të PBDNJ, Vangjel Dule pasi renditi presionin e demokratëve për të krijuar struktura paralele në PBDNJ, shtoi pamundësinë për të qëndruar në një koalicion me çamët, që sipas Dules kanë objektiva fantazmë. “PBDNJ duke qenë me bindje të qartë europiane, nuk mund të pranonte të ishte në kuadrin e një koalicioni me forca të tjera politike që asgjë të përbashkët nuk kanë me frymën europiane; me forca politike, në thelbin e programeve të të cilave është armiqësia, e shkuara, të cilat sot e kësaj dite, në mes të Tiranës, jashtë ambasadës së BE-së, kërkojnë që të mos eci procesi i integrimit nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre të mbështetura në objektiva fantazmë", - tha Dule duke shpjeguar prishjen e koalicionit me të djathët. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›