E Diel, 1 Nëntor 2026

Papunësia, 36 mijë më shumë në vitin 2011

TIRANE-Shifrat e papunësisë në vendin tonë vazhdojnë të mbeten të larta edhe pse nga ana e qeverisë janë lançuar një sërë politikash për uljen e saj. Këtë e vërteton edhe fakti se numri i të papunëve të regjistruar në Zyrat e Punësimit është i njëjtë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Deri në fund të muajit nëntor të vitit që lamë pas, në këto zyra figurojnë të regjistruar si të papunë rreth 143 mijë vetë por dihet që numri i tyre është shumë herë më i lartë pasi shumë persona nuk preferojnë të regjistrohen pranë tyre. Ndërkohë që, për vitin 2011 rezultojnë se janë regjistruar në këto zyra rreth 35 985 punëkërkues të papunë, 54% nga të cilët paraqiten për herë të parë. Shifra është 11% më e lartë se viti i kaluar gjë që dëshmon edhe rritjen e personave të cilët janë duke kërkuar punë. Për shefen e sektorit të analizave dhe statistikave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit Etleva Gjelaj, kjo shifër tregon rritjen e interesimit të të papunëve për të kërkuar punë nëpërmjet Zyrave të Punësimit. Gjithashtu, Gjelaj na bën me dije se janë larguar nga këto zyra 35 894 vetë, nga të cilët 33% janë punësuar, 14% janë dërguar në një kurs trajnimi, 5% janë përfshirë në programet e nxitjes së punësimit ndërsa pjesa tjetër janë larguar sepse kanë mbaruar përfitimet nga skemat e mbështetjes me të ardhura dhe nuk dëshirojnë të jenë më kërkues pune pranë Zyrës së Punësimit.

Kryesisht personat janë punësuar në sektorë të tillë si: Sektori i industrisë përpunuese, call center, industria e nxjerrjes së mineraleve dhe në periudhën e verës në sektorin e hoteleri- turizmit. Për sa i përket grupmoshave të cilët kanë paraqitur interes për punësim në këto zyra, nuk kemi të bëjmë me ndryshime të mëdha në lidhje me vitin e kaluar. "Nuk kemi ndryshime të ndjeshme në grupmosha të punëkër-kuesve të papunë, ndërsa vihet re një rënie e arsimit më pak se fillor dhe rritje të punëkërkuesve të papunë me arsim të mesëm.

Gjithashtu me reklamimin e fondeve të nxitjes së punësimit për praktikat profesionale të të rinjve të sapodiplomuar vihet re një interesim i tyre për të aplikuar. Vetëm në rajonin e Shkodrës kanë aplikuar rreth 400 studentë të sapodiplomuar për të marrë pjesë në këto programe ", - thotë Gjelaj. Nëse analizojmë ndryshimet në numrin e të regjistruarve për grupeve të veçanta të popullsisë vëmë re një rritje në të gjitha kategoritë e tyre. Kështu, figurojnë të regjistruar 540 romë më shumë se në fund të 2010 si dhe 77 persona më shumë me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, janë regjistruar rreth 300 emigrantë. Kryesisht të kthyerit janë nga Italia dhe Greqia dhe pjesërisht nga vende të tjera. Për sa i përket tipit të kërkuar punës vihet re një rënie e kërkuesve të punës afatgjatë deri në dy vjet, ndërkohë që puna afatgjatë mbi 3 vjet shënon një rritje. Nga personat e regjistruar si të papunë, 16535 vetë ose 12% e totalit të punëkërkuesve të papunë i përkasin rrethit të Tiranës. Kryesisht punë-kërkuesit janë me profesione elementare me një shifër prej 61% të të regjistruarve.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ksera: Ulja e varfërisë, prioritetet i ministrisë së Punës në 2012

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›