Analiza e IFIMES: Fushatë zgjedhore me shije gjaku, faza e fundit agresive

Në ndryshim nga fillimi, faza finale e fushatës elektorale në Shqipëri është bërë agresive. Kështu vlerëson Instituti Ndërkombëtar për Studimet në Lindjen e Mesme dhe Ballkan (IFIMES) në analizën e fundit për zgjedhjet e 28 qershorit të titulluar Fushatë zgjedhore me shije gjaku. Sipas analizës së këtij instituti, protagonistët kryesorë të kësaj fushatë, lideri demokrat Sali Berisha dhe ai socialist Edi Rama e kanë reduktuar duelin në nivel fyerjesh mes tyre.
Në kapitullin e parë të kësaj analize të titulluar Radikalizmi politik përmenden edhe vrasja e militantit demokrat në Qerret të Durrësit dhe kreut të PDK në Malësinë e Madhe. Në vijim, IFIMES nënvizon se edhe pse në fillim të fushatës partitë e mëdha, PD e PS, kishin avantazhin e të pasurit një mbështetje të madhe financiare dhe mediatike, të pakrahasueshme me partitë e tjera, ato nuk e përdorën këtë avantazh për të sjellë optimizëm tek qytetarët dhe për ti ringjalluar atyre besimin në arritjen e një zhvillimi ekonomik në 4 vitet që pasojnë. IFIMES nuk lë jashtë vëmendjes sondazhet e kryera në lidhje se kush do ti fitojë apo jo zgjedhjet e 28 qershorit. Instituti vë në dukje se të gjitha këto sondazhe kanë nxjerrë fitues PD, edhe pse sipas po këtyre sondazheve, kjo parti megjithëse do të marrë shumicën e votave nuk do të fitojë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të formuar qeverinë qe do të drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme. Në këtë kuadër IFIMES bën me dije se po monitoron nga afër fushatën elektorale të PD dhe se beson se do të jetë ajo fituesja e zgjedhjeve, ndërsa nënvizon se PS po përpiqet të shpëtojë çka mund ende të shpëtohet në pjesën finale të fushatës elektorale. Duke iu referuar sërish sondazheve të kryera, IFIMES vlerëson rolin kyç të Partisë Socialiste për Integrim në formimin e qeverisë së re. Situata ka krijuar tension në Partinë Socialiste synimi i së cilës në fillim të fushatës ishte të dominonte dhe të eliminonte partitë e tjera politikë të bllokut të majtë, thuhet në analizë ndërsa shtohet me tej se të dyja partitë kryesore politike po i bëjnë hapur thirrje qytetarëve të mos japin votën e tyre jashtë asnjë prej koalicioneve ku ato bëjnë pjesë, edhe pse kështu po shkelin hapur rregullat parazgjedhore. Një vëmendje e veçantë i kushtohet ish-kryeministrit dhe njëkohësisht ish-kryetarit të PS, Fatos Nano që në vlerësimin e IFIMES është një aktor kyç në pluralizmin politik shqiptar. Edhe pse mund të duket se nuk shqetësohet për situatën, ai po ndjek nga afër zhvillimet politike dhe gjatë fushatës elektorale shprehu në mënyrë të kujdesshme dhe diplomatike pakënaqësinë e tij në lidhje me rolin e drejtuesve aktualë të Partisë Socialiste, duke treguar hapur mbështetjen e tij për ish-kundërshtarin politik Ilir Meta dhe jo-konformistin Petro Koçi. Përpjekja e Ramës për të hequr jo vetëm nga listat e kandidatëve Fatos Nanon, por dhe për ta nxjerrë atë nga arena politike ka dëmtuar rëndë reputacionin e Partisë Socialiste e cila po përjeton një krizë udhëheqjeje. Edi Rama ka kontribuuar në këtë krizë duke u konfrontuar hapur me anëtarët më të nderuar të PS të tillë si Fatos Nano, Ilir Meta, Petro Koçi, Sabit Brokaj, Ylli Bufi, Servet Pëllumbi dhe të tjerë të cilët simbolizonin apo ende simbolizojnë PS përfundon IFIMES raportin për fazën e fundit të fushatës elektorale në Shqipëri.