E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barack, burri mes dy botëve

Historia që ndryshoi Amerikën Kjo është biografia e Presidentit, e firmosur nga “Pulitzer” dhe David Remnick

“Këtë vit Barry po punon në Nju Jork për të hequr mënjanë disa para që vitin e ardhshëm të ketë mundësi të transferohet. Nga ajo që arrita të kuptoj përmes telefonit po punon për një organizatë këshillimi që shkruan raporte për kushtet sociale, politike dhe ekonomike të vendeve të botës së tretë. Ai e quan ‘të punosh për armikun’. Në të vërtetë duket se po mëson një sërë gjërash për financën dhe politikën ndërkombëtare. Mendoj se të gjitha këto nocione mund t’i nevojiten në të ardhmen”.

Kur Ann Duham i shkroi mikes së saj të zemrës, Alice Dewey në verën e vitit 1983, nuk mund ta imagjinonte që i biri, pas 25 vjetësh, me ato “nocione” të ekonomisë dhe politikës do të bëhej drejtuesi i Shtëpisë së Bardhë. “Jemi vetëm në fillim”, thotë David Remnick, drejtori i “New Yorker” dhe fitues i çmimit “Pulitizer” që në librin “The Bridge: life and rising of Barack Obama”, biografia që është publikuar dje në SHBA, përmbledh “historinë që ndryshoi Amerikën”. “Ura” është ajo që hap librin: “Edmund Pettus Bridge” përshkohet tradicionalisht çdo vit për të kujtuar marshimin e famshëm nga Montgomery në Selma, i cili shënoi edhe lindjen e lëvizjes për të drejtat civile. Por “ura” është vetë Barack, njeriu mes dy botëve, të cilat më në fund u bashkuan.

Ndërsa në Amerikë vazhdojnë të shfaqen shenja intolerance, Presidenti thotë: “Amerika është në zhvillim dhe ndonjëherë këto ndryshime janë të dhimbshme. Njerëzit, kombet, nuk përparojnë në mënyrë lineare. Natyrisht që ka pasur shumë kënaqësi në zgjedhjen e një afroamerikani, por është e pashmangshme që të ketë edhe ndonjë reagim negativ, jo domosdoshmërisht në sensin racist. Gjithsesi, kjo është e ardhmja e ndryshimit. Mendoj se askush nuk mund të krijojë iluzione të kota, unë i pari, që me zgjedhjen time në krye të shtetit problemet e racizmit të zgjidhen”.

“Gjithsesi, historia e Obamës”, thotë Remnik, “është ajo e një afroamerikani të suksesshëm; është bekimi i njerëzve me ngjyrë. Edhe pse tashmë është drejtuesi i një shteti të fuqishëm, ka ‘mësuar të jetë një afroamerikan’”. Barak është biri i një gruaje të bardhë dhe një babai të ardhur nga Kenia, i cili vdiq në moshë të re. “‘ç’lloj emri është Barry për një vëlla?’, e kishte pyetur Eric Moore, një nga miqtë e parë zezakë të kolegjit. ‘Ai m’u përgjigj se emri i tij i vërtetë ishte Barack Obama’. ‘Dhe unë iu përgjigja: ky po që është një emër i fuqishëm. Po të kisha mundësi do ta zgjidhja: ju uroj fat’”.
Këto ishin vitet që ndryshuan “ata studentë të nivelit B”. Deri në atë kohë ai djaloshi i rritur në ishujt Havai mendonte vetëm për basketbollin. “Toni, miku im përpiqu të diplomohesh për Drejtësi. Një ditë, kur të jem një lojtar profesionist basketbolli, që t’i bëj presion klubit tim për të më paguar më shumë, do të të telefonoj.”

Edukimi politik është i ngadaltë. “Në shtator të vitit 1979 u transferua në një konvikt me tre djem të tjerë. E ndau dhomën A 104 me një pakistanez të quajtur, Imad Husain, që tani është një bankier në Boston, Paul Carpenter, që tani kujdeset për shurdhmemecë në Los Anxhelos”, shkruan Remnick. Barack dëgjonte shumë muzikë. “Nga magnetofoni i tij dëgjoheshin grupe dhe këngëtarë të ndryshëm, si ‘B52’, ‘Specialis’, ‘Talking Heads’, ‘Roxy Music’, ‘Ub40’, Jimi Hendrix, Bob Marley. Dhe muzikë xhaz: Miles Davis, John Coltrane dhe Billie Holiday”. Po veshja e tij e preferuar cila ishte? “Pantallona të shkurtra ose xhinse, bluza me mëngë të shkurtra, ose këmishë hauajane dhe sandale me një gisht”. Gjithashtu, Presidentit i pëlqente të mbante ndër buzë një cigare “Malboro”. Tymoste për të mbajtur peshën të palëvizshme.

Gjërat filluan të ndryshonin kur ai shkoi në Nju Jork. Me mikun e tij, Phil Boerner, mori një apartament në rrugën 109, pranë “Amsterdam Avenue”, për të cilin paguante 360 dollarë në muaj. Por si ia arriti Barack të bëhej një burrë shteti? “E dini? Sot magjepsem kur lexoj nga mësuesit e mi që thonë: ‘Ai ka qenë gjithmonë një lider i madh’. Kjo lloj gjëje të trazon paksa. Unë di vetëm që është një fazë në jetë, që për ndonjë arsye, disa gjëra të cilat i kisha mbajtur përbrenda deri në atë moment - pyetjet mbi identitetin, domethënien e gjërave, çështjet jo aq shumë për racën, por për natyrë ndërkombëtare të edukimit tim –të gjitha këto gjëra filluan të më çonin në një drejtim. Kjo ishte periudha që vendosa të transferohesha në Nju Jork dhe të shkoja pastaj në Kolumbi. Jam përballur me këto tema, shkruaj shumë, lexoj shumë dhe më pëlqen të shëtis nëpër ‘Central Park’. Nga ana tjetër, në një farë mënyre kam dëshirë të përballem me atë mundësi që deri në atë moment më dukej paksa aventureske: të spostohesha drejt çikagos dhe të filloja të angazhohesha në organizim dhe politikë”, thotë sot Presidenti. Më në fund erdhi momenti i shumëpritur: “Ndoshta ishte kombinimi i shumë faktorëve: vdekja e babait tim. Unë e dija që nuk do ta njihja më kurrë. Unë isha një njeri i thjeshtë që nga Havai u transferova në Nju Jork, për të mësuar më shumë”. Barack Obama ka lindur kështu, pjesa tjetër është histori.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›