Dilema për pajën: Një martesë apo një diplomë?!
Një vajzë shtatëmbëdhjetëvjeçare largohet pa lënë adresë nga shtëpia e familjes së burrit, ndërsa ky i fundit ishte emigrant jashtë Shqipërisë. Ky është vetëm një nga rastet e pakta shtetësuese të publikuara në media. Janë me qindra rastet ku vajza të moshës shtatëmbëdhjetë apo njëzetvjeçare vuajnë pasojat e një martese të hershme, martese me mblesëri, apo herë–herë edhe një martese të nxituar si presion i familjarëve që kanë rënë në dijeni të dashurisë së fshehtë të çiftit. Për fat të keq, këtu në vendin tonë martesa e vajzës dhe largimi për në shtëpinë e burrit shoqërohet nga shprehja më e padenjë dhe ofenduese për gjininë femërore: “Lum ata, e hoqën plehun nga katoi”. Pra femra në disa familje shihet si një mall i keq, që duhet hequr sa më shpejt, ndryshe mbetet në derë, e nuk e prek njeri me dorë. Që fëmijë, vajzës i ngulitet në mendje se e ardhmja e saj e vetme do të jetë martesa. Ndërsa djemve në datëlindjen e parë u vendoset përpara një tepsi e madhe e mbushur me lodra, vegla, lapsa e libra për të parë se çfarë profesioni do të zgjedhë kur të rritet, me vajzat e vogla rrallëherë zhvillohet një rit i tillë. Sepse, për vajzat më e rëndësishme se çfarëdolloj profesioni është martesa, është burri. Dhe martesa është vërtet e rëndësishme, madje hapi më i rëndësishëm në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk duhet të jetë e nxituar, por e menduar mirë. është një hap që hidhet në çastin e përshtatshëm dhe kur gjen njeriun e përshtatshëm. Por ajo që vihet re nga martesat e këtyre viteve, është mosha e re e vajzave që jepen për martesë. Dukuri që për fat të keq shihet jo vetëm në fshatra, por edhe në mes të qyteteve, madje edhe në mes të kryeqytetit. Dhe ajo që është më shqetësuese është papërgatitja e këtyre vajzave tetëmbëdhjetë apo njëzetvjeçare për atë çfarë i pret. Ato shkojnë drejt martesës jo sepse e dëshirojnë vetë, por sepse janë të detyruara ta bëjnë një hap të tillë. Në pjesën më të madhe janë prindërit që ua gjejnë burrin e jetës dhe atyre nuk u mbetet veçse të thonë “po”. Nxitojnë ta thonë këtë “po”, sepse e shohin si burim lirie.
Mendojnë se me martesën ato do të shpëtojnë nga kthetrat e baballarëve patriarkalë që nuk i kanë lejuar as daljet me shoqërinë femërore, (ajo mashkullore as nuk bëhet fjalë), as lokalet, as shëtitjet me klasën. Vajza e ndrydhur, e dëshiruar për pak liri, pranon të falet në krahët e një të panjohuri, duke menduar se kështu do të hapë dyert e lirisë. Dhe në fillim kështu duket: burri e shëtit nëpër disa lokale, i mëson të pijë kafe, makiato dhe birrë me patatina, dhe pastaj nis rutina. Vajza mbyllet përsëri brenda. Burri ose shkon në punë, nga mëngjesi në darkë dhe nuk ka më kohë të merret me daljet e saj, ose edhe më keq akoma, shkon në emigrim dhe e lë nusen e re të jetojë me prindërit e tij.
Ka edhe nga ato raste kur vajza e ka njohur vetë një djalë dhe është detyruar të fejohet, sepse e kanë marrë vesh prindërit. Por nga fejesa deri te martesa ajo ka bërë shumë hapa drejt njohjes së vetvetes dhe dëshirave të saj për t’u arsimuar, e për të marrë një profesion. Por tashmë është shumë vonë. I fejuari-pronari i ri i jetës së saj, nuk ia lejon më një gjë të tillë. Ai kërkon martesën dhe një fëmijë. Kjo ishte dëshmia që mora nga një vajzë njëzetvjeçare ditën e saj të martesës. E ndërsa e pyeta: “A je e lumtur?” Ajo më pa në sy e nuk dinte të përgjigjej dhe vetëm ngriti supet.
Ika e hidhëruar nga ajo dasmë, ku kuptova se ajo ceremoni nuk shënonte fundin, siç mendonin pjesa më e madhe e njerëzve aty. Ajo ceremoni shënonte fillimin e problemeve të mëdha për këtë vajzë.
Sa keq që prindërit nuk e kuptojnë që një vajzë njëzetvjeçare nuk është ende gati për t’u martuar. Qenia e saj është ende e paformuar dhe është tepër herët të marrë mbi supe përgjegjësi si martesa. Në moshën njëzetvjeçare nuk mund të jesh gati për të zgjedhur njeriun e jetës, ndërkohë që ende nuk ke kuptuar se kush je në të vërtetë, çfarë dëshiron të bëhesh, e çfarë rruge do të ndjekësh. Pjesa më e madhe e njëzetvjeçareve mendojnë se martesa do t’i ngjajë asaj ditës së parë ku kërcehet dhe këndohet plot gëzim. Nuk e dinë se martesa përveç të drejtave, ka edhe detyrime. Detyrime që në një martesë me mblesëri, kthehen në vargonj. Nuk e dinë se tash e tutje nuk do të marrin më vendime në vetën e parë, por çdo vendim duhet marrë në çift. Nuk e dinë se jeta ka shumë vështirësi dhe nuk është “lule e trëndafila”. Një vajzë e re e padalë nga shtëpia nuk e di që bashkë me burrin, do të ketë detyrime edhe ndaj gjithë familjes së tij. E mbi të gjitha, një vajzë njëzetvjeçare nuk është e përgatitur të edukojë një fëmijë. Dhe ky është mëkati më i madh i këtyre martesave. Nëna të reja që ende nuk kanë jetuar jetën e tyre, lindin dhe rrisin fëmijë, vetëm duke i ushqyer me qumësht gjiri, apo me biberon, pa qenë të afta t’i japin atyre asgjë tjetër, veç moralit të telenovelave spanjolle e portugeze.
Historitë e viteve të fundit na kanë treguar se martesat e hershme nuk kanë rezultuar jetëgjata, se burrit nuk i dihet: “Sot është, nesër nuk është”. Kemi martesa që herë janë shoqëruar nga divorce, herë nga tradhti, e herë nga fatkeqësi të tjera, si vdekje të parakohshme të bashkëshortëve në ndërtim, në miniera, apo në emigracion, duke bërë që këto vajza të paarsimuara të mbeten në mes të katër rrugëve pa ditur nga të shkojnë, pa një profesion, e pa një përvojë pune, pa një të ardhme.
A nuk do të ishte më mirë që prindërit shqiptarë, në vend të pajës me çarçafë e me jorganë me pupla, t’u dhurojnë bijave një diplomë të cilën do ta kenë si flamur e do ta shfrytëzojnë gjatë gjithë jetës? A nuk do të ishte më mirë që paratë e pajës të shpenzohen për një shkollim të mirë, një investim i përjetshëm që nuk do të vdesë kurrë?!