E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, personifikimi i përçarjes dhe i sherrit politik

05-10-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Nuk ka pasur zgjedhje vendore, ose të forumeve brenda radhëve, apo zgjedhje parlamentare, që E. Rama të mos ketë ndërhyrë, madje në mënyrë agresive, për të përforcuar njerëzit pranë tij, që ai mendon se janë më besnikët. Kur ndodhet përpara kundërshtive të hapura në debatet kundrejt tij, ai përdor dhunën, siç ndodhi me Lëvizjen për Mendimin Ndryshe. Me Kastriot Islamin, që ka një reputacion edhe jashtë vendit tonë, duke mos u përballur dot me argumentet të cilat, sipas Islamit, e dëmtojnë, madje e diskreditojnë, partinë në të cilën Edi Rama sillet jo si një opozitar pluralist, por si një autokrat, kryetari i tanishëm i PS-së, s’e ka për gjë që të veprojë në mënyrë drastike. Shqiptarët, në ditët e sotme, janë të ndërgjegjësuar se integrimi europian është një dëshirë mbarëkombëtare, që përfshin më shumë se 95 % të aspiratave të vendit. Prandaj iu kundërvu ashpër njohësit të mirë të ligjeve, Islamit, gjer në shqetësime rreth banesës së këtij, me çjerrje ordinere. Ishte dora e Edi Ramës. Mungesa e transparencës është njëra ndër tiparet karakteristike të Ramës, paçka se në emër të transparencës ka shpartalluar LMN-në dhe tani po del kundër proceseve të rregullta zgjedhore në forumet rinore të partisë së tij si edhe në zgjedhjet e organizatës së gruas në Sarandë. E kudo që bëhen zgjedhje të tilla brenda radhëve. Kryetarja e FRESH-it, Elisa Spiropali, në krye të forumit rinor, pa dëshirën e Ramës dhe të Erion Veliajt, i bëri qëndresë vendit të saj në forum.  Ky i fundit sajoi një farsë të habitshme për Griseldën e kryetarit të bashkisë së Kavajës, që ishte një skandal gjer në bashkimin Europian, duke e tronditur thellë Tania Fajonin. Por kjo është një ngjarje e kaluar, që tani njihet nga i madh e i vogël. Ajo që mbetet, është se kryetari E. Rama është i prirur t’i gradojë gjer në Asamblenë Kombëtare të PS-së persona të tillë diskreditues për dinjitetin e shqiptarit, ashtu siç nuk e pati për gjë, që  “sindikalisti” i tij, F. Xibri, u ndante të hollat nga arka e PS-së  pjesëmarrësve në mitingjet destruktive. Kjo u bë e njohur nga kameramanë të rastit, në mediet tona. Pavarësisht se E. Rama s’e vret mendje fare, por  kjo ka domethënien se  jo të gjithë pjesëmarrësit në demonstratat e Ramës vijnë për të bërë gjullurditë e programuara nga shefi, në mënyrë spontane. Një pjesë e madhe e tyre mblidheshin me autobusë falas dhe me para në dorë, domethënë me metoda të korrupsionit! Dhe nga cili? Nga ai që e ngre zgurdhën në kupë të qiellit për antikorrupsionin!
Harasani la mandatin e parlamentarit për arsyet që dihen. Por këtë mandat nuk e pranon ta zërë Auron Tare, siç urdhëron Edi Rama. Auroni shpjegohet se ka arsye familjare, pastaj ky mandat është vetëm për pak muaj, gjer më zgjedhjet e 1913-s .Këtu nisi rihapja e grindjes disa muaj më parë ndërmjet Ramës dhe Spiropalit. Ish-përfaqësuesi i Mjaftit, E. Veliaj, u fut në një sherr për përfitimin e një të afërti të tij, kundër Spiropalit, që përfundoi në kacafytje fizike. Manipulimi i kundërshtarit të Spiropalit u kuptua në sallë. Nga ky çast kryetarja e FRESH-it nuk iu bind më E. Ramës. Me urdhër të Spiropalit të rinjtë socialistë  nuk deshën ta dëgjonin fjalimin e Ramës. Spiropali ngriti zërin që një pjesë e  personave që ndodheshin në mbledhjen e Asamblesë, nuk ishin në listën e të deleguarve. Kështu filloi hemorragjia e deputetëve të PS-së. PS-ja mbeti me tri mandate më pak nga largimet e Sh. Idirzit, V. Tavos dhe K. Islamit. Tri mandate  të tjera  ua lanë radhën kandidatëve që ishin në listat e 2009-s. Keta janë E. Meksi, R. Seseri dhe  dhe A. Sarasani.
Edhe në Sarandë punët nuk shkuan mbarë në Forumin e Gruas. Sipas nje pjese te Asamblese, drejtimi i PS-se po ndërhynte ne menyre klienteliste dhe po liheshin jashte partise aktiviste me vlera dhe me kontribute qe nga themelimi i Partise Socialiste. Grindjet arritën deri ne fyerje mes anetareve te Asamblese. Sipas kryetares së mëparshme, procesi i zgjedhjes ishte i manipuluar dhe deputetja e dërguar nga kryetari, se bashku me drejtuesit e tjere te deges se PS-se, kishin degraduar procesin. Njëri ndër opinionistët debatues, dikur mik i Ramës, ishte tepër kritik ndaj “Kurbanit” të tij. Dhe shkruan: “Pyetja që shtrohet sot është: a e ka pasur ndonjëherë synim të vërtetën ky njeri? Mua, nga përvoja e viteve në vazhdim më rezulton se jo, se edhe të vërtetat që shkruante asokohe kur ishim miq, edhe me gabimet që mund të mbanin, nuk synonin të vërtetën por, nën diktatin e egoizmit të pafre dhe me metodat e kulturës së manipulim - simulimit, synonin pushtetin. Kjo është e vetmja e vërtetë e pandryshueshme e Edi Ramës”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›