E Shtunë, 31 Tetor 2026

Para nevojës për reformë financiare globale

Liderët e vendeve evropiane dhe aziatike kanë bërë thirrje për reformim të sistemit financiar botëror. Në përfundim të një samiti të mbajtur në Pekin, krerët e shteteve i kërkuan gjithashtu Fondit Monetar Ndërkombëtar të luajë rol edhe më të madh për të ndihmuar shtetet e prekura nga kriza e tregjeve ekonomike. Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, theksoi edhe domosdoshmërinë e veprimeve të menjëhershme për ndihmë ndaj shteteve në zhvillim.

Kryeministri kinez, Ven Xhiabao, tha se Pekini kishte ndër mend të ndërmerrte rol më aktiv gjatë samitit të ardhshëm të liderëve botërorë që do të mbahet në Uashington muajin e ardhshëm. Liderët që morën pjesë në takimin mes 43 shteteve evropiane dhe aziatike qenë të gjithë dakord me idenë që duhen "ndërmarrë reforma të efektshme dhe të dobishme në kuadrin e sistemeve financiare dhe monetare". U tha gjithashtu se qe rënë dakord për samitin e ardhshëm të Uashingtonit, ku do të takohen krerët e 20 ekonomive më të mëdha botërore.

Në deklaratën përfundimtare të samitit dyditor thuhej gjithashtu: "Liderët janë të një mendimi mbi rolin që duhet të luajë Fondi Monetar Ndërkombëtar në ndihmën që duhet t‘u japë vendeve të prekura seriozisht nga kriza në çastin kur kjo kërkesë drejtohet nga vetë shtetet". Duke iu drejtuar krerëve të tjerë të shteteve, Kryeministri kinez tha se novacionet financiare duhen balancuar me vendosjen e rregulloreve të forta, duke shtuar: "Duhet të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion për mos lejuar që kriza financiare të ketë impakt në rritjen reale ekonomike".

Të premten, tregjet financiare ranë përsëri për shkak të frikës së shkaktuar nga recesioni i afërt global. Wall Street shënoi rënie të forta, i pasuar nga tregjet evropiane dhe aziatike. Tregjet globale të parasë kanë rishfaqur shenja vështirësish, pavarësisht miliarda dollarëve që qeveritë dhe bankat qendrore kanë pompuar javët e fundit nëpër tregjet financiare. Gjatë një takimi me krerët e agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të Bankës Botërore dhe të FMN-së, Ban Ki Mun vërejti se kriza aktuale mund t‘u japë goditjen e fundit njerëzve më të varfër në botë. "Rrezikon të vërë në diskutim të gjitha arritjet dhe progreset e deri sotme", vërejti shefi i OKB-së. "Vë në diskutim progresin në çrrënjosjen e varfërisë dhe sëmundjeve. Përpjekjet tona për të luftuar ndryshimet e klimës dhe ato për zhvillim. Përpjekjet që askush të mos ndjejë më uri".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›