Para të drogës, sekuestrohen 650 mijë euro asete në Fier
Policia dhe prokuroria nën operacionin e koduar “Lotari e rreme”, kanë bllokuar pronat e Fatos Hamzarajt, i arrestuar për trafik droge në Britani, ishin regjistruar në emrin e së ëmës
E ndërsa i biri është arrestuar në Angli për trafik narkotikësh, në Shqipëri pas një letërporosie nga Londra, i janë bllokuar 650 mijë euro pasuri të investuara në emrin e së ëmës 60-vjeçare, ndërsa i është ngritur një akuzë për pastrim parash. Sekuestroja e pronave të Fatos Hamzarajt u krye pas vendimit të Gjykatës së Fierit, ndërkohë që gjykimi i tij në Angli është ende në proces. Policia e ka koduar operacionin “Lotari e rreme”, pasi duket se të afërmit e Hamzarajt kanë tentuar ta fshehin burimin e pasurisë pas një lotarie.
Hetimi
Nga një hetim intensiv i Sektorit kundër Pastrimit Parave në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, ka rezultuar se djali i Teferi Hamzarajt, në emrin e së cilës ndodheshin mijëra euro pasuri e pashpjegueshme, Fatos Hamzaraj 29 vjeç, rezident në Angli, është arrestuar nga autoritetet britanike si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të trafikut të lëndëve narkotike. Menjëherë pas kësaj dhe shkëmbimit të informacionit me homologët britanikë, filloi procedimi ndaj Hamzarajt. Agjentët mësuan se ai për një periudhë prej rreth tre vjetësh, të ardhurat e përfituara në mënyrë të paligjshme nga trafiku i lëndëve narkotike i ka transferuar tek familjarët e tij në Shqipëri përmes transfertave bankare dhe kesh, dhe këta të fundit janë mundur t’i justifikojnë si para të ligjshme dhe t’i investojnë në biznese, bar-kafe, karburant, apartamente, palestër. Gjithë kjo veprimtari është furnizuar shumë brenda një kohë të shkurtër me sasi të mëdha parash, që normalisht i bënte këto të dyshuara. Hetimet në Britani ndërkohë i kanë hapur rrugën edhe një hetimi paralel në Shqipëri, ku është zbuluar se bëhej fjalë për një skemë pastrimi parash përmes pasurive të paluajtshme.
Sekuestrimi
Në kuadër të këtij operacioni, deri në këto momente është bërë sekuestrimi i 650 mijë eurove në prona të paluajtshme. Bëhet fjalë sipas policisë për një apartament 120 metra, një truall 782 metra, një karburant 150 m2 në Cakran, disa garazhe, një palestër, një bar dhe pajisjet që shërbenin për këto aktivitete. Sipas policisë, të gjitha këto pasuri janë vënë nga pasurimi i paligjshëm përmes trafikut të drogës. Ndërkohë, familjarët e Hamzarajt i kanë kundërshtuar këto vendime të gjykatës dhe prokurorisë duke pretenduar se pronat ishin krijuar në mënyrë të ndershme. Të gjitha pasuritë janë gjetur në emrin e nënës së të arrestuarit në Britani dhe 60-vjeçarja ka qenë teorikisht pronare e pasurisë pas fitimit të një lotarie. Ndërkohë njoftohet se ende vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë rast, qoftë për të dokumentuar veprimtari të tjera joligjore, qoftë për identifikimin e pronave të fshehura të Hamzarajt.
Gjykimi në Britani
Fatos Hamzaraj është arrestuar dhe po gjykohet në Swindon të Britanisë së Madhe për trafik droge, bashkë me disa persona të tjerë të kombësive të ndryshme. Nuk ka shumë të dhëna rreth tij dhe aktivitetit që ai ka kryer në Angli, por mësohet se çështja është në gjykim dhe një seancë e fundit është kryer vetëm më 12 dhjetor në gjykatën e Swindon-it, që ndodhet në jugperëndim të Anglisë. Ndërkohë, në emrin e tij rezulton e hapur edhe një faqe web-i, në të cilën ai ka përdorur emrin e një kompanie të madhe postare me qendër në Skoci. Faqja rezulton e mbyllur prej kohësh dhe nuk dihet nëse edhe ajo ka shërbyer për aktivitetin e Hamzarajt, apo është përdorur për të ndihmuar në pastrimin e parave përmes së ashtuquajturave lotari.
Objektet e sekuestruara
Një apartament me sipërfaqe 120 metër katror në qytetin e Fierit
Një sipërfaqe trualli 782 metër katror në komunën Cakran
Një pikë karburanti në komunën Cakran, me sipërfaqe 150 metër katror,
Disa garazheve
Një palestër
Bar-kafe
Të gjitha pajisjet e ndodhura në këto aktivitete