E Diel, 1 Nëntor 2026

Beteja me drejtësinë e një gruaje që Beteja me drejtësinë e një gruaje që

SHKRUAN: Leonard Bakillari 22-12-2011 13:08

Historia e Entela Çelës, që endet sa në prokurori, në gjykatë për të zbuluar të vërtetën rreth vdekjes së djalit të saj 10-vjeçar në QSUT, dy vjet më parë. Gjykata e Tiranës urdhëron akuzën të rinisë hetimet

Tiranë Një nënë nga Fushë-Kruja për më shumë se dy vjet endet dyerve të gjykatave e prokurorive për të gjetur shkakun dhe personat përgjegjës për vdekjen e djalit të saj 10- vjeçar. Pas një kalvari të tërë gjyqësor, duke nisur nga prokuroria e Tiranës, Gjykata e Tiranës, ajo e Apelit, sërish prokuroria e më pas gjykata, Entela Çela ka marrë më në fund garancinë se vdekja e djalit të saj 10-vjeçar do të hetohet. Edhe pse dy herë me radhë, organi i akuzës ka vendosur pushimin e hetimeve të kësaj çështje me argumentin se kjo ngjarje nuk parashikohet si vepër penale, 37-vjeçarja nuk ka reshtur së kërkuari drejtësi. Vendimi më i fundit që detyron prokurorinë të rihetojë për të tretën herë këtë ngjarje është marrë pak ditë më para në Gjykata e Tiranës, pas kërkesës së nënës së 10-vjeçarit Irild Çela, i cili ka ndërruar jetë në rrethana misterioze në QSUT. Ngjarja e rëndë që do të pasohej nga një kalvar i tërë në dyert e drejtësisë ka ndodhur më 15 shtator të vitit 2009 në QSUT, ku fëmija ishte shtruar pas rekomandimit të mjekut pediatër në spitalin e Krujës. Entela Çela, nëna e 10-vjeçarit, ka kallëzuar në prokurori se në datë 14 shtator 2009, rreth orëve të paradrekes, fëmija i saj ka shfaqur probleme shëndetësore. Në këto kushte, ajo e ka dërguar djalin e saj në qendrën shëndetësore të Fushë-Krujës, ku dhe ka marrë mjekimin përkatës. Pas ndihmës nga stafi mjekësor, fëmija 10-vjeçar është dërguar në banesën e tij. Disa orë më pas ai ka shfaqur përsëri probleme shëndetësore e në këto kushte nëna e tij e ka dërguar atë në spitalin e qytetit të Krujës, në pavijonin e pediatrisë. Në këtë spital 10-vjeçari Irild Çela ka qëndruar deri rreth orës 04:00 të dt.15.09.2009, pasi, duke u nisur nga gjendja shëndetësore e pastabilizuar, fëmija është dërguar në repartin e pneumologjisë, pavijoni nr.3, të QSUT “Nënë Tereza” Tiranë. Pak orë pasi ka mbërritur në spital, fëmija ka ndërruar jetë në mënyrë të mistershme, ndërsa nuk është kryer as autopsia, e cila do të përcaktonte shkakun e vdekjes. Pas kësaj ngjarjeje, nëna e 10-vjeçarit ka depozituar një kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës ndaj ekipit mjekësor dhe infermieres së Spitalit të Pediatrisë, I.T., të cilën e akuzon për “shpërdorim detyre”, “mosdhënie ndihme” dhe “mjekim të pakujdesshëm”. Sipas kallëzimit penal, nëna e fëmijës pretendon se infermierja ka mjekuar 10-vjeçarin jo me mjekimin e dhënë nga mjeku i pavijonit. “Është pretenduar se, pavarësisht nga fakti se në kartelën mjekësore për të ndjerin Irild Çela mjekja ka përcaktuar si mjekim për të medikamentin “Ventolin”, i ndjeri është mjekuar me “Adrenalinë”. Si pasoje e këtij mjekimi, vetëm dy minuta pas marrjes së këtij mjekimi fëmija ka shfaqur simptoma, sipas kallëzueses, të asaj natyre ku krijohej përshtypja se kishte pasur reaksion nga medikamenti i përdorur. Kallëzuesja ka kërkuar ndihmën e kualifikuar të infermieres I.T., ndihmë e cila, sipas kallëzueses, nuk i është dhënë, por me ndihmën e infermierëve te tjerë është përcjelle në repartin e reanimacionit, ku me gjithë ndihmen që iu dha fëmijës në repart, ai fatkeqësisht ka ndërruar jete”- thuhet në dosje. Por pas hetimit të nisur nga prokuroria çështja është pushuar, pasi një ngjarje e tillë nuk parashikohet si vepër penale. Ky vendim është kundërshtuar nga nëna e fëmijës në Gjykatën e Tiranës, kërkesë e cila është rrëzuar nga Shkalla e parë. Por Gjykata e Apelit ka urdhëruar prokurorinë të kryejë hetimet për këtë rast, duke i përcaktuar edhe disa detyra konkrete.

Mungesa e shkakut pushoi 2 herë hetimet

Në përfundim të këtij hetimi, sërish Prokuroria e Tiranës më 11 korrik 2011 ka vendosur pushimin e çështjes, me argumentin se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. Ky vendim është ankimuar sërish në Gjykatën e Tiranës, e cila pak ditë më parë ka vendosur të urdhërojë prokurorinë për rinisjen e hetimeve, duke i lënë një sërë detyrash konkrete, të cilat duhet të plotësohen nga organi i akuzës. Argument kryesor i përdorur nga prokuroria për pushimin e kësaj çështjeje në të dy vendimet e marra prej saj janë konkluzionet e ekspertëve të nxjerra në aktin e ekspertimit, sipas të cilit rezulton se nuk mund të përcaktohej shkaku i vdekjes së 10-vjeçarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›