E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parada Gay, Ekrem Spahia: Ti kapim në hu. Reagon Avokati i Popullit

Deklarata e zv.ministri të Mbrojtjes në lidhje me mbajtjen e një parade të komunitetit homoseksual më 17 maj, ka zgjuar një sërë reagimesh ditën e sotme.

Deklarata e Spahiut e botuar në një të përditshme të sotshme është cilësuar nga Avokati i Popullit si nxitje e dhunës dhe urrejtjes. Në reagimin e tij, i pari zyrtar për këtë çështje, Avokati i Popullit, Igli Totozani, i kërkon zyrtarit të lartë të shtetit të kërkojë ndjesë publike për deklaratën fyese.

Avokati i Popullit i kërkon këtij zyrtari të lartë të qeverisë shqiptare të deklarohet menjëherë mbi vërtetësinë e këtij citimi dhe të kërkojë në mënyrë urgjente ndjesë publike nëse kjo deklaratë fyese dhe denigruese është qoftë edhe pjesërisht e vërtetë.

Avokati i Popullit dënon fuqishëm çdo deklaratë dhe shprehje të këtij formati, që nuk ka asgjë të përbashkët me frymën e tolerancës, bashkëjetesës dhe diversitetit, si vlera tradicionale të shoqërisë shqiptare. Përveç kësaj, deklarata të tilla nxisin dhunën dhe urrejtjen duke përbërë kështu edhe një vepër penale.

Avokati i Popullit e cilëson këtë një mendësi krejtësisht të papranueshme dhe apelon çdo zyrtar shtetëror të çdo niveli, mbi papajtueshmërinë flagrante të këtyre deklaratave me procesin e intergrimit dhe vlerave europiane që mbart ky proces, vlera të cilat përjashtojnë kategorikisht sjellje dhe mendësi të tilla.

 

Deklarata e Spahisë

Ne jemi parti konservatore shqiptare, vlerësojmë trashëgiminë shqiptare si vlera të rëndësishme për një komb. Unë skam ndonjë koment tjetër, vetëm ti kap në hu ato. Hu është fjalë dialektore, por besoj se kuptohet, ose thënë ndryshe shkop gome.  / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›