Ambasadori Jensen: E ardhmja e Shqipërisë është në Evropë
Presidenca e BE
Ambasadori danez në Tiranë, Karsten Jensen vendi i të cilit udhëheq presidencën 6-mujore të bllokut 27 anëtarësh, është shprehur se Shqipëria duhet të gjejë vullnetin politik për të plotësuar rekomandimet e Bashkimit Europian për Integrimin.
“Unë jam optimist për të ardhmen e Shqipërisë dhe jam i sigurt se ajo e ka të ardhmen në BE, u shpreh diplomati danez, duke shtuar se, 12 rekomandimet që BE i ka kërkuar Shqipërisë duhen plotësuar. Kjo është diçka që duhet bërë dhe ju mund ta bëni brenda këtij viti nëse ekziston vullneti politik. Miratimi së fundi i disa ligjeve me konsensus nga të dy palët dëshmon se situata mund të jetë më shpresëdhënëse. Gjithsesi ende kërkohet angazhim dhe vullnet politik dhe akoma shumë për të bërë nga të dy palët dhe nga qeveria për të përmbushur 12 standardet që BE i ka vendosur Shqipërisë. Është plotësisht e mundur dhe përgjegjësi e të gjitha palëve”, tha diplomati Jensen.
Deklaratat e ambasadorit danez u bënë nga qyteti i Gjirokastrës ku ishte për të ndjekur një konkurs mes të rinjve të shkollave të mesme të qytetit, konkurs i fokusuar në njohuritë rreth Bashkimit Europian.