Myslimanët: Te Namazgjaja, guri i parë për Bajram
Xhamia e re në Tiranë
Vetëm pak ditë pasi komisioni i bashkisë i ka dhënë rrugë ndërtimit të xhamisë së myslimanëve, drejtues të komuniteti dëshirojnë që themelet e parë të kësaj xhamie të hidhen në muajin gusht, në ditën e Bajramit.
Sheshi i Namazgjasë është vendi ku do të ngrihet ky objekt. Në lidhje me problemet e pronësisë, Gazmend Aga, nënkryetari i komitetit thotë se 6000 m2 janë në pronësi të myslimanëve. “Pjesa më e madhe e këtij trualli është në pronësinë tonë. Ne jemi duke negociuar edhe me bizneset për të ndërtuar në këtë hapësirë xhaminë e madhe me arkitekturë sa tradicionale aq edhe bashkëkohore”, ka theksuar Aga.
Po a do t’i përmbush kjo xhami kërkesat e myslimanëve?
“Kjo do të jetë një xhami e madhe dhe e dëshirueshme nga ne por nuk mund të përmbushë të gjitha nevojat e myslimanëve. Mendojmë se më e udhës do të jetë të ndërtohen xhami në nivel lokal për besimtarët tanë”, tha ai.
Po çfarë do të ndodhë me projektin e mëparshëm të xhamisë kur kreu i bashkisë se Tiranës ishte Edi Rama?
“Jemi duke parë se cilët nga elementët e studios të parë mund të qëndrojnë në projektin e ri”, ka shtuar ai më tej.
Komiteti Mysliman thotë se dy do të jenë alternativat e zgjedhjes së projektit ku e para: projekti do të jetë me arkitekt shqiptar dhe e dyta sërish një konkurs studiosh ndërkombëtare.