E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parada e gejve, Berisha pro manifestimeve

27/03/2012  Kryeministri komenton deklaratën e Spahisë: Të papranueshme

“Orientimi i ndryshëm seksual është një realitet i lashtë”

Ndryshe nga anëtarët e kabinetit të tij qeveritar apo përfaqësues të partive në koalicion me qeverinë, Kryeministri Berisha nuk sheh asgjë të kundërligjshme në kërkesën e grupeve me orientim seksual të ndryshëm për të zhvilluar një manifestim në kryeqytet më 17 maj. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kreu i qeverisë duke u ndalur në fjalën e tij te kjo çështje e justifikoi qëndrimin e tij edhe me një ligj të miratuar së fundi nga qeveria, i cili mbron të drejtat e këtij komuniteti. “Shqipëria është vend i lirë. Nuk mund të ketë dhe nuk mund të mendojë askush se ne do të kufizojmë manifestime, demonstrata, cilatdo qofshin ato. Ky është rregull i lirisë. Ne kemi miratuar një ligj, dhe ai ligj ka qenë i domosdoshëm, sepse është e vërtetë se pakicat e natyrave të ndryshme kanë nevojë për një mbrojtje ligjore dhe në këtë kontekst unë vlerësoj qëndrimin e Komisioneres për të Drejtat e Pakicave dhe reagimin e saj si reagim adekuat dhe të përshtatshëm ligjor”, - tha Berisha. Ai e cilësoi si të papranueshme deklaratën e bërë nga kryetari i PLL-së dhe aleatëve të tjerë. “Aleatëve mund t’u them se kanë përdorur ose kanë bërë deklarata të papranueshme. Reagimi i kryetarit të Partisë së Legalitetit s’ishte aspak përgjigje mbretërore, sepse edhe vetë janë parti e tolerancës dhe ata e kanë faktuar këtë. Ndaj ka qenë një teprim, se nuk mund të bëhet fjalë që njerëzit të mos mund të shprehin veten e tyre në këtë vend në përputhje me ligjet e vendit. Orientimi i ndryshëm seksual është një realitet i lashtë sa vetë lashtësia. Një realitet që ekziston, për hir të së vërtetës, pavarësisht nga besimet apo bindjet politike”, - vijoi numri një i qeverisë. Duke nënvizuar se secila parti ka platformën e vet, Kryeministri në referencë të deklaratës së Ekrem Spahisë, vijoi se asnjë parti nuk ka dajakun platformë. Ndërkohë që kundër paradës janë deklaruar dje edhe bashkësitë fetare. Si Komuniteti Mysliman, ashtu edhe ai katolik janë shprehur kundër shfaqjes në publik të homoseksualitetit. Zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, dom Gjergj Meta, dhe drejtori i marrëdhënieve me publikun në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Agron Hoxha, thanë se moslejimi i aktiviteteve të tilla nuk është një cenim i të drejtave të njeriut, por organizime të tilla janë abuzim me lirinë dhe të drejtat e njeriut. Bosnja, Maqedoni dhe Shqipëria janë vendet në Ballkan ku nuk janë lejuar deri tani zhvillimi i manifestimeve të tilla.

Padia

“LGBT Albania” ka paditur zëvendësministrin e Mbrojtjes Ekrem Spahia për deklaratat e tij se “do t’i kapte në dru homoseksualët, nëse bëjnë paradë në Tiranë”. Padia është depozituar në prokurorinë e Tiranës, ndërsa lëvizja shprehet në mbështetje të deklaratave të Kryeministrit Berisha.

Penalitetet

Në mbledhjen e grupit Kryeministri foli edhe për reformën zgjedhore, ku ndër të tjera u shpreh se do të votojë paketën e Ramës për përgjegjësitë ndaj komisionerëve, në rast se ajo do të pranohet nga ekspertët e ODIHR-it, dhe pse ai vlerëson se dënimet janë shumë të larta.

Listat

Propozimi i PS-së lidhur me listat e zgjedhësve nuk pranohet nga mazhoranca. “Lista nuk mund të bëhet shkak dhe nuk mund të jetë e tillë që të ndikojë në përjashtim ose kërkesat për listën të çojnë në përjashtimin e atyre që s’kanë apo atyre që janë në nevojë e me radhë”, - tha Berisha.

Justifikimet

Kryeministri tha dje se nga mazhoranca ekziston një vullnet i plotë për ta finalizuar reformën zgjedhore në kohën më të shpejtë të mundshme. “Mendoj se në rast se nuk ekziston vullneti për të justifikuar disfatën e ardhshme të vitit 2013 nëpërmjet mungesës së zbatimit të rekomandimeve, mendoj se reforma mund të kompletohet në njësi kohe rekord dhe dëshmon një vullnet pozitiv nga të gjitha palët për një proces qendror të shoqërisë”, - tha kreu i qeverisë në mbledhjen e grupit.

Mbështetja

Kreu i mazhorancës tha dje se kreun e opozitës, Ramën, më 2013-n do ta votojnë vetëm 40% e socialistëve. Ai tha se avokatia që ai po u bën partive të tjera i rrëzoi dy deputetë, duke ia shtuar mazhorancës. “Ndaj dhe është spostuar vëmendja te Bamiri dhe Kreshniku dhe tek ufoplatforma. Pse ka ndodhur kjo?! Votojnë Sali Berishën ata? Jo nuk e votojnë, se janë besnikë të partisë së tyre, por nuk mund të besojnë kurrë se kryetari i tyre, që i udhëhoqi nga disfata në disfatë, do t’i çojë në fitore”, - tha Berisha.

Parashikimi

Se cili do të jetë qëndrim i Ramës për reformën zgjedhore, Kryeministri Berisha nuk mundi të përgjigjej dot. Ai tha se Rama është satelit në orbitën e humbjes, nga e cila nuk e nxjerr dot asnjë nga variantet që ai vetë propozon. “Imagjinoni, zotërinj: ka 8 muaj që u thotë bashkëpunëtorëve të mi ‘do të fitojmë nga kuqezinjtë’. Por lideri që është lider nuk e bazon fitoren te realitetet inekzistente, por te pushtimi i mendjes dhe zemrës së qytetarëve të tij”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›