E Diel, 1 Nëntor 2026

Lejet e Legalizimit, tani prodhohen nga drejtoritë rajonale

26/03/2012  Drejtoresha e ALUIZNI-t për Elbasanin, Mimoza Trimi: Ja ndryshimet me VKM dhe bonot e privatizimit

ELBASAN- Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t Elbasan, në kuadër të disa ndryshimeve të fundit të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave në lidhje me procesin e legalizimit të ndërtimeve informale, informon në detaje mbi këto ndryshime që përfshijnë këtë drejtori në një proces intensiv pune. Ky informacion do t’u vijë në ndihmë qytetarëve vetëdeklarues të qarkut të Elbasanit, duke marrë kështu informacionin e nevojshëm lidhur me legalizimin e ndërtimeve informale të vetëdeklaruara. Drejtoresha e këtij institucioni, Mimoza Trimi, thekson se tashmë i gjithë stafi që ajo drejton është përfshirë në këtë proces që e ngarkon drejtorinë rajonale edhe me fazën përfundimtare të plotësimit dhe dhënies së lejeve të legalizimit. Ajo ka sqaruar disa momente të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe udhëzimeve përkatëse mbi procesin e legalizimit. Ajo sqaron afatet e rimbursimit të bonove, kohën dhe formën e dhënies së lejeve, ankimimet dhe afatet kohore që duhen respektuar.

Si duhet të veprojnë qytetarët, të cilët duan të legalizojnë ndërtimet e tyre me bono privatizimi?

Dua ta sqaroj në mënyrë të hollësishme procedurën e rimbursimit të pagesës në të holla të parcelës ndërtimore me bono privatizimi. Me ligjin nr. 10 219 datë 04.02.2010 “Për disa shtesa në ligjin “Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Zonave / Ndërtimeve Informale” të ndryshuar, neni 4, përcaktohet shprehimisht tek dispozitat kalimtare së personat, të cilët kanë kryer pagesat për parcelat ndërtimore të ndërtimit pa leje përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, përfitojnë lehtësitë e parashikuara në këtë ligj. Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë, me shkrim, pranë ALUIZNI-t brenda 3-muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Lidhur me përfituesit nga këto ndryshime përfitojnë ata shtetas, të cilët kanë kryer pagesat për legalizimin e objektit të tyre me lekë, deri para hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Ndërkohë mbi hapat që do të ndiqen për rimbursimin me bono nga ana e ALUIZNI-t do të njoftohen me shkrim të gjithë përfituesit për hapjen e llogarive bankare dhe vlerën monetare, për të cilën përfitojnë rimbursim. Brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit me shkrim, personat që përfitojnë, duhet të bëjnë pagesën me bono privatizimi të vlerës së rimbursueshme dhe të dorëzojnë pranë ALUIZNI-t, dokumentacionin financiar që vërteton kryerjen e kësaj pagese.

Brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të dokumentacionit financiar, që vërteton kryerjen e pagesës me bono privatizimi pranë drejtorisë së ALUIZNI-t, bëhet i mundur dhe transferimi i shumave të rimbursueshme në numrat e llogarive.

Kur pritet të aplikohet kjo procedurë?

Aplikimi i kësaj procedure do të fillojë sapo të dalë udhëzimi i përbashkët i ministrit të Punëve Publike dhe Transportit dhe ministrit të Financave. Janë të lutur të gjithë qytetarët, të cilët përfitojnë nga kjo procedure dhe që kanë paraqitur kërkesë brenda afatit të parashikuar në ligj, të paraqiten pranë institucionit tonë dhe të lënë një adresë të saktë për t’u njoftuar.

Tashmë lejet jepen nga agjencia që ju drejtoni. Si funksionon në bazë të ligjit të ri?

Ndryshimet prekin edhe kriteret, procedurat dhe tipin e formularit të lejes së legalizimit.

Me anë të këtij vendimi drejtoria rajonale e ALUIZNI-t të qarkut Elbasan, sikurse dhe të gjithë drejtoritë rajonale në qarqe, pas vlerësimit të përmbushjes ose jo të kushteve për legalizim, bazuar në ligjin Nr. 9482 dt. 03.04.2006 “Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa leje” të ndryshuar dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, vendosin kualifikimin për legalizim ose përjashtimin nga legalizimi të ndërtimit informal. Të gjithë vetëdeklaruesit e ndërtimeve informale nga momenti i marrjes së formularëve të pagesave duhet t’i likuidojnë ato brenda 30 ditëve. Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, brenda 30 ditëve nga data e shlyerjes se pagesës, duhet të pajisë subjektin me leje legalizimi për objektin informal apo shtesën informale.

Bisedoi: Ledia Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›