Paketa fiskale, Braçe: Paratë e pista pastrohen me ligj
Miratimi në parlament i ligjit të ri për të ardhurat personale është kontestuar nga ana e Partisë Socialiste, e cila ka deklaruar se rritja e taksave për paratë e emigrantëve dhe biznesin e vogël do të nxisë më tej varfërinë në vend
Ndryshimi i ligjit për të ardhurat personale, duke taksuar fitimin neto të biznesit të vogël dhe futja në kategorinë e fondeve që taksohen 10 për qind edhe të ardhurat e emigrantëve, është kundërshtuar nga ana e Partisë Socialiste. Sipas deputetit të PS-së, Erion Braçe, ky ligj nuk duhet të hyjë në fuqi, pasi takson për herë të dytë biznesin e vogël dhe nga ana tjetër, favorizon pastrimin e parave të pista në Shqipëri. “Një mori të dhënash zyrtare, por më shumë iniciativat ligjore të qeverisë ditët e fundit, dëshmojnë gjithnjë e më shumë se arka e shtetit është bosh. Qeveria po kërkon me ngut e dhunë burime të reja financiare për të mbushur sa të mundë arkën e shtetit.
Rritja e taksave, taksimi i shumëfishtë, taksimi i të ardhurave të sakrificës të pataksuara më parë, legalizimi i parave të korrupsionit, parave të pista të trafiqeve kriminale, përkundër një takse 10 për qind paguar Berishës”, tha Braçe. Partia Socialiste i ka cilësuar të gjitha masat e fundit me karakter fiskal të qeverisë “Berisha”, si abuzime dhe në dëm të zhvillimit ekonomik të vendit. “Në Kuvend do të miratohet të enjten një ligj që bën ndryshime në ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”. Nën gjykimin tonë, ligji është i paqartë, evaziv, abuziv, i qëllimtë dhe i tillë, për të krijuar mundësinë e taksimit të shumëfishtë të biznesit të vogël kudo, si dhe pastrimit të parave të korrupsionit dhe krimit të lidhur apo klient me qeverinë e Sali Berishës. Thjesht për ta taksuar 3 dhe 4 herë deri në qindarkën e fundit apo pastruar çdo qindarkë të vjedhur e grabitur, përvetësuar politikisht, deri tani. Dua t’ju kujtoj, se biznesi i vogël paguan nën qeverinë e Sali Berishës dhe vendimeve të saj”, tha Braçe. Një nga pikat më të diskutuara të këtij ligji, që është deklaruar edhe nga ekspertët e ekonomisë, ka qenë rritja e Tatimit mbi Biznesin e Vogël. Ky nivel sipërmarrjeje në një pjesë të madhe të tij kaloi që nga data 1 janar si pjesë e biznesit të madh. Tashmë ky biznes do të detyrohet që të paguajë edhe tatim mbi të ardhurat personale për tatimin mbi fitimin neto të realizuar. “Ligji që do të votohet nesër në Kuvendin e Sali Berishës, i krijon mundësi administratës së kësaj qeverie që të taksojë biznesin e vogël, veçmas atë të fashës me xhiro 2-5 milionë lekë, sërish me 10 për qind, nëse paratë që i mbeten pas pagimit të taksave aktuale, nuk i investon, por i mban si e ardhur personale. Pra, paqartësia e qëllimtë e ligjit lë mundësi për taksimin për herë të dytë, me 10 për qind të tjera të biznesit të vogël! Kjo për ne është e papranueshme! I njëjti ligj, për herë të parë në 20 vite, vendos të taksojë paratë e emigrantëve ose paratë e sakrificës. Sipas këtij ligji, me miratimin e tij, “E ardhur e tatueshme” do të jetë: “të ardhurat monetare për shtimin e kapitalit me burime nga jashtë shoqërisë, që nuk janë të tatuara më parë dhe që nuk janë të shoqëruara me dokumente zyrtare, që vërtetojnë origjinën e këtyre të ardhurave”. Kategoritë e parave nën këtë përcaktim janë: paratë e emigrantëve, paratë e evazionit fiskal, paratë e korrupsionit, paratë e krimit dhe veçanërisht atij që ushtrohet jashtë Shqipërisë dhe paratë që financojnë terrorizmin”, tha Braçe.