Paraguai: Grintë dhe maturi, armët e Martinos
“Adelante” (“Përpara”), me shumë të drejtë. Por “adelante” më shumë se kurrë. Një Paraguai në çerekfinale është një gjë që s’kishte ndodhur kurrë. Dhe as ata vetë nuk e mendonin që do të arrinin deri këtu. Madje duke shënuar vetëm tre gola në 4 ndeshje, pra më pak se të gjithë, por duke pësuar vetëm një. Skuadër për luftë, me një trajner argjentinas (Gerardo di Martino), e cila që në eliminatoret e Amerikës së Jugut ua kishte vështirësuar jetën të mëdhenjve. Individualitete të spikatura nuk ka, përjashto Roke Santa Kruz, i cili vë në dispozicion eksperiencën e tij dhe luan pas sulmuesit Barrios, që i ka surprizuar të gjithë me aftësinë e tij të lëvizjes dhe që ndodhet gjithmonë në vendin e duhur. Mbrapa është i përforcuar me katër mbrojtës, të cilët mbështeten shumë mirë nga mesfusha. Ata dyluftojnë për çdo top: mbulim i dyfishtë, ndonjëherë edhe i trefishtë i kundërshtarëve, gjë që duket e bukur për këtë skuadër. Deri këtu të favorizuar edhe nga paraqitja e dobët e kundërshtarëve, përfshij edhe Italinë.
#