E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paraguai bën histori me penallti



Paraguai mundi Japoninë me penallti duke bërë histori pasi mbërriti për herë të parë në çerekfinalet e një Kupe Bote.
Pas një ndeshje pa gola në 120 minuta lojë, Juiçi Komano i Japonisë humbi penalltinë e tretë, ndërkohë që amerikanojugorët fituan 5-3. Paraguai i kishte besuar Roke Santa Kruzit në sulm, duke lënë në stol Nelson Valdes dhe Barreton. Trajneri Gerardo Martino, në ndryshim nga takimet e tjera, kishte menduar më shumë për mbrojtjen. Kjo, edhe për faktin se, sipas tij, një gol i pësuar në ndeshje të tilla teke mund të kushtojë gjithë kompeticionin. Nga ana tjetër, Takeshi Okada luajti me të njëjtët futbollistë që arriti të sigurojë edhe kualifikimin për në 1/8 e finaleve. Paraguaianët rrezikuan vetëm një herë me anë të Barrios, gjithsesi pa shumë problem për portierin Kavashima. Në fraksionin e dytë, me futjen edhe të Nelson Valdes e Barretos në fushë, loja e paraguaianëve u gjallërua edhe më shumë, por përsëri rastin më të mirë e kanë japonezët, të cilët prekin traversën e portës pas një gjuajtje nga jashtë zone të Matsiut. Pas 90 minutave lojë dhe 30 minutave shtesë, fatin e ndeshjes e patën në dorë portierët. Penalltia e Komanos e goditur në traversë solli edhe kualifikimin e Paraguait. Ndeshje ishte thuajse e mërzitshme, duke pasur pak emocione, me momentin më të mirë kur gjuajtja e Daisuke Matsuit u përplas në shtyllën horizontale. Japonia kishte një shans të mirë për ta fituar ndeshjen, kur Shinji Okazaki harkoi një top për Keiji Tamadën, por ky i fundit nuk e gjeti rrjetën. Trajneri i Paraguait, Gerardo Martino, është shprehur mjaft entuziast pas kualifikimit historik të skuadrës së tij në çerekfinalet e një Botërori. Sipas tij, Japonia mund ta kishte fituar ndeshjen pa shkuar fare në shtesë e penallti. “Që të dyja skuadrat luajtën një futboll të bukur dhe me raste në të dyja portat. Fatmirësisht u kualifikuam ne dhe në këto momente nuk gjej fjalë për të shprehur gjithë gëzimin tim. Por duhet të theksoj që kjo nuk është ende ajo që ne kërkojmë nga kjo skuadër. Lotët e mi ishin çlirim nga ai tension i madh që kam pasur dhe tani dua vetëm të festoj si i çmendur, me gjithë fansat e kësaj skuadre. Zoti ishte me ne”, pohoi tekniku paraguaian. Trajneri i Japonisë, Takeshi Okada, ka marrë të gjitha përgjegjësitë mbi vete për eliminimin e skuadrës së tij nga ky Botëror, duke dhënë edhe dorëheqjen nga posti i trajnerit. “Për mënyrën sesi luajtëm në këtë kompeticion, jam vërtet i kënaqur. Kjo skuadër ka bërë jo vetëm Japoninë, por gjithë Azinë krenare. Përsa i përket ndeshjes së sotme, unë mbaj të gjitha përgjegjësitë e humbjes. Si trajner mendoj se duhej të kisha bërë më shumë. Luajtëm shumë ngadalë dhe sulmuesi ynë Honda ishte shpeshherë i izoluar. Duhej të kishim shënuar dhe ta fitonim ndeshjen, pasi patëm rastet tona. Pas kësaj Kupe Bote, mendoj se nuk kam asgjë tjetër se çfarë t’i jap kësaj skuadre, prandaj do të jap dorëheqjen nga drejtimi”, ka deklaruar Okada.

Dorëzohet Blater: “U kërkoj falje Anglisë dhe Meksikës”

Presidenti i FIFA-s, Jozep Blater, u kërkoi falje Anglisë dhe Meksikës për shkak të gabimeve të gjyqtarëve në ndeshjet kundër Gjermanisë dhe Argjentinës. “Më vjen keq kur shikoni gabime të qarta të gjyqtarëve”, - tha Blater. “Nuk ishin një ndeshje me pesë yje për gjyqtarët. Jam i shqetësuar për gabimet e dukshme të gjyqtarëve”. Ekipet nga Anglia dhe Meksika i paguan shtrenjtë çmimin në këtë Botëror pasi u eliminuan në raundin e një të tetave nga gabime të dallueshme të gjyqtarëve. Anglisë iu mohua një gol i qartë kundër Gjermanisë kur gjuajtja e Frenk Lampardit pasi goditi shtyllën horizontale dhe kërceu përtej vijës së portës. Kamerat televizive treguan qartë se gjyqtari dhe ndihmësi i tij nuk ishin në pozicionin pranë portës. Po atë ditë, Argjentina shënoi golin e parë të saj në një pozicion mjaft të qartë jashtë loje të Karlos Tevezit. Lojtarët meksikanë protestuan ashpër të anësori, pasi rasti u shfaq në videoekranin e stadiumit. “Unë u kërkoj falje Anglisë dhe Meksikës”, - tha Blater. “Anglezët thanë faleminderit dhe pranuan faktin se ju mund të fitoni dhe të humbisni në një ndeshej, por dhe meksikanët përkulën kokën dhe e pranuan atë”. Blater tha se është i hapur për diskutime në lidhje me teknologjinë në vijën e portës. “Por, për situata se ajo në ndeshjen kundër Meksikës ju nuk keni nevojë për teknologjinë”. “Ne dëshirojmë ta mbajmë futbollin si një ndeshje e njerëzve me fytyrë humaneve, kështu që ne nuk e dëshirojmë teknologjinë në fushën e lojës pasi ne dëshirojmë të ruajmë spontanitetin në futbollin e luajtur, të administruar dhe të kontrolluar nga qenie njerëzore”, - tha Blater.

Dunga: “Ndeshja kundër Holandës si një finale”

Brazili e di se tani Kupa e Botës do të bëhet më serioze kur të parballet kundër Holandës të premten, pasi pesë herë kampionët e botës fituan një vend në çerekfinale pas fitores 3-0 kundër Kilit. “Ne e dimë se Holanda është një ekip shumë i vështirë për të luajtur kundër tyre”, - tha trajneri i Brazilit, Dunga. “Futbolli i tyre është aktualisht i ngjashëm me futbollin e Amerikës së Jugut. Ata nuk përpiqen të luajnë duke mbrojtur dhe përdorin topat e gjatë. Ata kanë cilësi teknike dhe ne duhet të jemi gati për këtë. Është një ekip solid”.

LUSIO-ROBINJO
Kapiteni i Brazilit, Lusio, shtoi: “Është një ndeshje midis dy ekipeve tradicionale dhe me lojtarë të mëdhenj. Tani ndeshjet do të bëhen gjithmonë e më të vështira”. Holanda i ka fituar të gjitha ndeshjet në këtë Botëror kundër Danimarkës, Japonisë, Kamerunit dhe Sllovakisë duke qenë e pa mundur në 23 ndeshjet e fundit. Robinjo, i cili shënoi golin e parë në këtë Kupë Bote në ndeshjen kundër Kilit, tha: “Do të jetë një ndeshje klasike futbolli. Do të jetë si një finale”. Luis Fabiano shtoi: “Nëse Holanda do të luajë në sulm do të marrë edhe disa rreziqe mbi vete dhe kjo do të jetë mirë për ne”.

PRECEDENTËT
Brazili do të përballet me Holandën në çerekfinalet e Kampionatit Botëror. Janë tre precedentë midis dy skuadrave. E para ka ndodhur në vitin 1974, ku tulipanët fituan 2-0 në fazën e dytë të grupeve. Në vitin 1994, Brazili fitoi 3-2. Takimi i tretë dhe i fundit daton në vitin 1998 (në gjysmëfinale), kur Brazili fitoi me penallti 5-3, pasi ndeshja përfundoi 1-1 pas kohës shtesë. Takimi në Afrikën e Jugut është përballja e katërt midis dy vendeve.

Babel: “Luajmë më mirë kundër Brazilit”

Holanda shpreson te instinktet e saj sulmuese kur të përballet në çerekfinale me pesë herë kampionët e botës dhe ekipin numri 1 në renditjen e FIFA-s. Duket se holandezët nuk kanë shumë shanse për të fituar, pasi nuk kanë shfaqur shumë nga loja e tyre e zakonshme, pavarësisht se i kanë fituar të katër takimet e para të këtij turneu. Anësori Rajan Babel, thotë: “Unë mendoj se është gjithmonë e vështirë të luash kundër ekipeve që nuk duan të luajnë futboll të bukur, të cilët janë gjithmonë në pritje për ju. “Ne i luajmë ndeshjet më të mira kundër ekipeve që dëshirojnë të luajnë, kështu që kundër Brazilit ne mund të luajmë një futboll më të bukur ajo që bëmë pardje (kundër Sllovakisë). Në fund të kampionatit, kur të fitojmë turneun, askush nuk do të flasë për stilin e futbollit që ne përdorëm”.

Alofs: “Ozil, më i mirë se Mesi”

Kush është deri tani lojtari më i mirë i këtij Kampionati Botëror? Kush ka bindur më shumë? Kush i ka vënë vulën turneut? Ylli botëror Lionel Mesi? Braziliani që gjuan më dy këmbët Luis Fabiano? Holandezi efektiv Uesli Shnajder? Apo gjermani i talentuar Tomas Myler? Menaxheri i Verder Bremenit, Klaus Alofs e di përgjigjen: Mesut Ozil. Për “Nordwest-Zeitung”, Alofs shprehet: “Ozil është një lojtar i jashtëzakonshëm, i cili bën gjëra gjeniale. Shkurt: është një lojtar i klasit botëror. Edhe nga argjentinasi Lionel Mesi unë nuk kam parë deri tani aksione efektive në Afrikën e Jugut”. Ozil, më i mirë se Mesi!
Alofs theksoi: “Deri tani nuk kam zbuluar ndonjë, që të ofrojë futbollin më të bukur”. Statistikat midis Mesit dhe Ozilit në katër ndeshjet e para: Ozil ka shënuar një gol dhe ka përgatitur dy të tjerë, ndërsa Mesi nuk ka shënuar asnjë gol por ka dhënë katër asistë për shokët e ekipit të tij.

Mesi: “I shënoj dy gola Gjermanisë”

Lionel Mesi ka dhënë katër asistë për Argjentinën, por të gjithë prej tij presin vetëm një gjë: golin. “Kundër Gjermanisë unë do të shënoj dy gola ose asnjë”, - tha për gazetën sportive argjentinase, “Ole”. Para ndeshjes kundër Meksikës, Maradona kishte vendosur një bast me superyllin e tij, se Mesi nuk do të shënonte gol. Mesi nuk ia doli: “Ai më kishte thënë se nuk do të shënoja. Dhe në të vërtetë nuk ia arrita. Portieri sërish priti një gjuajtje të bukur”.

30 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›