E Shtunë, 31 Tetor 2026

India kërkon shenjtërimin e Nënë Terezës



Kisha Katolike e Indisë ka kërkuar nga Vatikani që të shpallë të shenjtë humanisten shqiptare, Nënë Terezë, në 100-vjetorin e lindjes së saj, më 26 gusht të këtij viti. Në adresë të Vatikanit janë dërguar me qindra letra nga India, vendi ku veproi humanistja shqiptare, përmes së cilave kërkohet që Selia e Shenjtë të shenjtërojë Nënën Terezë.
Nëna Terezë është bekuar nga Vatikani në vitin 2003, kur edhe mori titullin “e bekuar”.
Burime të Kishës Katolike të Indisë kanë thënë se shumë njerëz që u përkasin feve të ndryshme, por edhe të tjerë të organizatave katolike, i kanë shkruar Papa Benediktit XIV duke kërkuar shenjtërimin e Nëna Terezë për veprimtarinë e saj disavjeçare në ndihmë të njerëzve të varfër. Kjo kërkesë është përkrahur edhe nga Konferenca Katolike e Ipeshkvisë së Indisë (CBCI). “Ne i kuptojmë aspiratat e robërve katolikë dhe anëtarëve të besimeve të tjera. Megjithatë, shqyrtimi i procesit të shenjtërimit do të marrë kohë”, ka thënë zëdhënësi i CBCI-së, Babu Jozeph, citon agjencia e lajmeve IANS. Sipas tij, procedura për shenjtërim zgjat disa vjet. “Kisha ndjek një proces rigoroz dhe të gjatë përpara se dikush të shpallet i shenjtë. Nëna Terezë është nderuar tashmë nga kisha pasi asaj i është dhënë titulli ‘e bekuar’”, ka thënë ai. Indiania e fundit që ishte shenjtëruar ishte motra Aplhonsa. “Nëse kërkesa pranohet, atëherë Nëna Terezë do të jetë e treta nga India që do të shenjtërohet”, shkruan agjencia IANS. Por ish-anëtari i Komisionit Ndërkombëtar të Komuniteteve, V.V. Augustine, ka thënë: “Për mua dhe të tjerët që e njohim punën e saj, ajo tashmë është një shenjtëreshë. Jam duke u lutur dhe duke pritur momentin kur Nëna Terezë do të shpallet e shenjtë, por njerëzit e dinë se procedura është mjaft e gjatë”. Me këtë rast CBCI ka njoftuar se ka një program të ngjeshur me aktivitete për shënimin e 100-vjetorit të lindjes së Nënës Terezë. Presidenti Pratibha Patil do të kryesojë një takim përkujtimor që do të mbahet në Neë Delhi, më 28 gusht. Po ashtu do të mbahet edhe një simpozium ndërkombëtar me titull “Life and Message of Mother Teresa” (Jeta dhe mesazhet e Nënës Terezë). Një ekspozitë me fotografi nga puna e Nënës Terezë do të hapet në Neë Delhi, nga data 23 deri më 30 gusht, kurator i së cilës do të jetë fotografi Raghu Rai. Nëna Terezë është nderuar me disa çmime prestigjioze, duke përfshirë edhe Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 dhe në vitin 1980 me “Bharat Ratna”, çmimin më të lartë që ndahet në Indi.
Biografia e Nënë Terezës (Angje Gonxhe Bojaxhiu)

Gonxhe Bojaxhiu lindi në Shkup në vitin 1910, nga prindër shqiptar, për të shkruar historinë e fundshekullit të XX në aspektin e vetë sakrificës dhe devotshmërisë që njeh njerëzimi. Ajo dëshmoi fuqinë e miqësisë vëllazërore, duke nxitur kështu zhvillimin njerëzor dhe shoqëror. Që nga viti 1950, kur ajo themeloi urdhrin e saj të murgeshave, të quajtur Misionarët e Bamirësisë, ajo u bë nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t'ia dedikonte tërësisht të varfërve. Nënë Terezën e do mbarë bota, por veçanërisht India ku ajo filloi veprën e saj hyjnore që nuk ka kufi. Në Indi Nënë Terezën e duan të gjithë sepse e madhe ishte dëshmia e saj, siç ishte i madh edhe shërbimi i Bijave të saj shpirtërore, të cilat tashmë veprojnë anembanë botës. Për këtë ajo njihet kudo si Nënë Tereza e Kalkutës. Ajo e shikonte Zotin, e donte dhe e predikonte atë gjithmonë dhe në çdo vend. Ashtu siç ishte e thjeshte dhe e përvuajtur, gjithnjë në udhëtim, tërhiqte me vete me mijëra vajza dhe gra për një jetë të tillë. Urata e saj plotësohet edhe me veprime shoqërore në dobi të botës që pëson dhe vuan pa masë. Jeta e Nënë Terezës ishte një kushtim ndaj të sëmurëve dhe të varfëve, të cilët ishin gjithnjë nën kujdesin e saj. Ajo kujdesej për fëmijë të dëbuar apo për njerëz që ishin në buzë të vdekjes për të cilët hapi edhe shtëpinë "Nirmal Hriday". "E di që jemi një pikë në oqeanin e mjerimit dhe të vuajtjes njerëzore, por nëse s'do të ishim ne, kjo pikë mjerimi dhe vuajtjeje do të ishte edhe më e madhe", shprehej ajo. Vepra e Nënë Terezës nuk mund të jetë e fshehur. Atë në radhë të parë e kanë zbuluar dhe përjetuar të varfërit, të shtypurit, të uriturit, të mjeruarit, por edhe të tjerë si njerëzit fetarë, politikanët, njerëzit e artit, të cilët e shpërblyen dhe me tituj morale jetën dhe veprën e saj. Ndër to permendën titujt "Pamada Shir", "Gjoni XXIII për paqe" të cilën ja dorëzoi personalisht Papa Pali VI, "Samaritani i mirë" në Boston, "Shpërblimi Ndërkombëtar Xhon Kennedy" në Uashington, "Nëna e të gjithë nënave", "Balzan", shpërblimi "Nobel për paqen", shpërblimi më i lartë amerikan "Medalja e lirisë", shpërblimi më i lartë i Rusisë "Medalja e paqes" dhe shumë e shumë të tjera. Nënë Tereza është një personalitet i madh botëror dhe një ëndërr e njerëzimit. Ajo ka ëndërruar që njerëzit të jenë të barabartë dhe të mos vuajnë. Prandaj dhe emri i saj u përhap në gjithë botën, duke u bërë shenjtore e gjallë pa vdekur. Nënë Tereza vdiq në Shtator të vitit '97 në Kalkuta ku dhe ndodhet varri i saj.

30 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›